Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, gjatë 24 orëve të fundit

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë:
-arrestuan në flagrancë shtetasin I. D., 28 vjeç, pasi u kap jashtë banese, në cenim të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata e Korçës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin I. D., 36 vjeç, banues në fshatin Voskop, pasi në celular iu gjet një faqe online aktive për vënie bastesh sportive.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin D. H., 39 vjeç, banues në Pogradec, pasi u kap duke transportuar 9 m³ dru zjarri, të prerë në kundërshtim më ligjin. Lënda drusore u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kolonjë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Th. Q., banues në fshatin Vodicë, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka dëmtuar disa pemë frutore, në pronësi të një shtetaseje.

Më datë 06.03.2025, ka rënë zjarr në fshatin Kodras, Kolonjë, dhe si pasojë është djegur një sipërfaqe e toke dhe disa pisha. Vijojnë hetimet për të përcaktuar dhe provuar shkakun e rënies së zjarrit.

Rreth orës 16:30, në fshatin Novoselë, shtetasi N. B., 74 vjeç, banues në fshatin Sovjan, dyshohet se është rrëzuar aksidentalisht, gjatë lëvizjes me biçikletë, dhe si pasojë, ka humbur jetën. Punohet për dokumentimin me prova ligjore të rrethanave të rastit.

Gjatë natës, shtetas të paindetifikuar, kanë thyer xhamat e qendrës shëndetësore në fshatin Symiz, por nuk kanë marrë asgjë. Vijojnë hetimet për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, autorin/ët e rastit, si dhe për të sqaruar rrethanat.

Rreth orës 10:05, në dyqanin në pronësi të shtetasit P. Sh., në lagjen nr. 1, në Pogradec, dyshohet se ka shpërthyer një bombul gazi. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.