Shërbimet e Policisë në të gjithë vendin vijojnë kontrollin e territorit, monitorimin e qarkullimit dhe operacionet e njëpasnjëshme, për goditjen e paligjshmërive.
Si rezultat i punës hetimore dhe operative, si dhe kontrolleve në terren, janë finalizuar 4 operacione në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, kapjes/ndalimit të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, armëmbajtjes pa leje dhe krimeve ndaj personit.
Janë kapur/ndaluar 2 shtetas që ishin në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 13 raste në të gjithë territorin, me 3 autorë të arrestuar dhe 6 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 4 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve. Gjithashtu, është proceduar në gjendje të lirë 1 kryeplak fshati, për një rast kultivimi në Shkodër. Për këto raste janë sekuestruar sasi të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe cannabis sativa, si dhe janë asgjësuar bimë kanabisi të kultivuara.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 7 raste, me 3 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 4 në kërkim.
Gjithashtu, janë proceduar në gjendje të lirë 2 shtetas për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë.
Në Tiranë, është arrestuar një 28-vjeçar, pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë së Forcës së Posaçme “Shigjeta” për ndalimin e automjetit. Nga kryerja e testit të lëndëve narkotike, me aparatin drogtestues, ka rezultuar nën efektin e lëndëve narkotike.
Është shpallur në kërkim 1 shtetas dhe 1 tjetër është proceduar në gjendje të lirë për thyerje të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Janë evidentuar 10 raste të dhunës në familje, me 8 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 në kërkim, si dhe janë plotësuar 12 kërkesëpadi për urdhër mbrojtjeje.
Në Tiranë, është arrestuar 1 shtetas i mitur, 16 vjeç, pasi në rrugën “Shaban Bardhoshi”, në banesën e tij, pas një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me thikë, duke e dëmtuar në dorë, babain e tij, i cili mori mjekim në spital. Me cilësinë e provës materiale, u sekuestrua një mjet prerës, thikë.
Janë evidentuar 12 raste të krimeve kundër mjedisit, me 11 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim.
Në Elbasan, u ndalua shtetasi Sh. B., 64 vjeç, pasi dyshohet se, më datë 01.10.2026, në fshatin Galush, ka ndezur zjarr, i cili është përhapur masivisht në disa fshatra, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në ullinj, arra dhe pyje me pisha.
Në Himarë, u ndalua shtetasi A. H., 42 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inspektor pranë Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Himarë, i cili ishte shpallur në kërkim, pasi dyshohet se, më datë 09.08.2026, ka lejuar ndërtimin pa leje të një objekti 5-katësh, nga të cilët një kat nëntokë, në vendin e quajtur “Sugë”.
Janë evidentuar 7 raste në fushën e vjedhjes, me 1 autor të arrestuar dhe 3 në kërkim, ndërsa për 3 raste po punohet për identifikimin e autorit/autorëve.
Janë evidentuar 8 raste të krimeve ekonomiko-financiare, me 7 autorë të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, në Tiranë, janë proceduar 2 shtetas për organizimin e lojërave të fatit (baste sportive).
Janë evidentuar 3 raste në fushën e krimeve kompjuterike/kibernetike, me 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin e autorit/autorëve.
Janë evidentuar 8 raste të mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, me 10 autorë të proceduar në gjendje të lirë.
Në Fier, u proceduan në gjendje të lirë dy 15-vjeçarë, pasi gjatë kontrollit fizik u janë gjetur 2 mjete prerëse (biçakë).
Janë proceduar penalisht 13 shtetas për vepra të ndryshme penale.
Janë arrestuar 5 shtetas dhe janë proceduar penalisht 9 të tjerë, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, është proceduar penalisht 1 shtetas, pasi ka shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.
Strukturat e Policisë Kufitare kanë proceduar në gjendje të lirë 2 shtetas, për peshkim të ndaluar dhe kontrabandë me mallra akcizë.
—
Fier/ Ditën e djeshme, rreth orës 21:30, shtetasi A. K., 61 vjeç, banues në Fier, dyshohet se aksidentalisht është rrëzuar nga shkallët e pallatit ku banonte dhe, për pasojë, ka humbur jetën në Spitalin e Traumës, Tiranë. Grupi hetimor po punon për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke u garantuar reagim profesional, të shpejtë dhe anonimitet të sigurt.
