Shkodër – Finalizohet operacioni i koduar “Rent home 10”

Arrestohet një shtetase braziliane, e cila apartamentin e marrë me qira në lagjen “Ahmet Haxhia”, e kishte vënë në dispozicion të ushtrimit të prostitucionit dhe shitjes së lëndëve narkotike.

Në pranga dhe një shtetas, përfitues nga veprimtaritë kriminale, i cili u kap në këtë ambient.

Sekuestrohen sasi të lëndëve narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa, si dhe shumë parash (në euro dhe në lekë).

Si rezultat i veprimeve hetimore disaditore, të kryera nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, me qëllim dokumentimin e vënies së një apartamenti të marrë me qira, nga një shtetase e huaj, në dispozicion të veprimtarive kriminale, u finalizua operacioni i koduar “Rent home 10”, në kuadër të të cilit u arrestuan shtetasja braziliane, L. S., 29 vjeçe, dhe shtetasi N. H., 40 vjeç, banues në Shkodër.

Gjatë ndërhyrjes në apartamentin e marrë me qira nga 29-vjeçarja, në lagjen “Ahmet Haxhia”, u konstatua se ambienti ishte përshtatur për ushtrim të prostitucionit dhe për shitje të lëndëve narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa. Në këtë ambient u kap edhe 40-vjeçari, i cili dyshohet se ka përfituar nga veprimtaritë e kundërligjshme.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.