Të Guximshëm Pa Armë

Ki guxim t’u thuash jo armëve!

Ndikimi i pakontrolluar dhe zotërimi i armëve të zjarrit vazhdon të paraqesë një sfidë të madhe për sigurinë publike të Shqipërisë.

Ndër vite janë raportuar shumë raste të armëmbajtjes pa leje. Meshkujt dhe femrat janë viktima të incidenteve që lidhen me armët e zjarrit. Statistikat tregojnë se në Shqipëri, gjatë 5 viteve të fundit (2019 – 2023), janë raportuar 1737 incidente me armë zjarri, duke përfshirë 132 gra, që kanë humbur jetën nga dhuna me armë zjarri.

Për të adresuar këtë çështje të rëndësishme, projekti i OSBE-së mbështet autoritetet shtetërore të Republikës së Shqipërisë për të ulur rrezikun e përhapjes dhe të keqpërdorimit të Armëve të Vogla dhe të Lehta (AVL). Në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Brendshme, Policinë e Shtetit, Organizatat e Shoqërisë Civile, Këshillat Vendorë të Sigurisë Publike, si dhe përfshirjen e medias, projekti ka filluar një fushatë mbarëkombëtare ndërgjegjësimi për të rritur vetëdijen e publikut për rrezikun e armëve të zjarrit. Kjo fushatë bazohet në Strategjinë dhe Planin e Veprimit për Rritjen e Ndërgjegjësimit dhe Komunikimit për Keqpërdorimin e AVL-ve.  

Qëllimi kryesor i fushatës është të informojë publikun për rrezikun e armëve të zjarrit dhe të sigurojë informacionin e nevojshëm ligjor dhe rregullator mbi pasojat e përdorimit të paligjshëm të armëve të zjarrit.

Fushata synon të arrijë të rinjtë, kryesisht meshkuj, në Shqipëri, të cilët, bazuar në të dhënat e strategjisë së lartpërmendur, janë në rrezik më të lartë për një serë arsyesh. Vajzat dhe gratë janë, gjithashtu, një target i fushatës, duke qenë se ato janë kryesisht viktima të dhunës me armë zjarri, si dhe mund të kenë ndikim drejtpërsëdrejti ose tërthorazi në edukimin e brezave, për të mos mbajtur dhe mos përdorur armë zjarri.

Gjithashtu, përmes kësaj fushate, synojmë të sfidojmë perceptimin e zakontë të armëve të zjarrit si simbole të forcës dhe fuqisë. Për këtë qëllim, përdorimi i muzikës, si një mjet fuqishëm ndikues, do të shërbejë për të ndryshuar mendësinë dhe për të promovuar një kulturë paqeje dhe sigurie. Kjo do të ndiqet më një gamë të gjerë informacioni audio – vizual, si dhe aktivitete konkrete ndërgjegjësimi në komunitetet lokale ku Organizatat e Shoqërisë Civile dhe Këshillat Vendorë të Sigurisë Publike po kontribuojnë në mënyrë të qenësishme.

Duke qenë se zotërimi i armëve të zjarrit shihet si një shenjë guximi dhe force, mund të jetë e vështirë t’i rezistosh kësaj norme dhe të zgjedhësh të jesh pa armë. Përmes mesazhit, ne theksojmë se forca e vërtetë është të zgjedhësh të bësh zgjedhjen e duhur, të ndjekësh rrugën e drejtë dhe të përqafosh një kulturë sigurie dhe paqeje.

Mesazhi kryesor i fushatës: Ki guxim t’u thuash jo armëve! thekson se duhet guxim për të shkuar kundër rrymës.

Mësoni më shumë rreth fushatave të ndërgjegjësimit duke vizituar linkun e fushatës: www.teguxmshempaarme.gov.al 

Fushata e ndërgjegjësimit është pjesë e projektit: “Asistencë për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për uljen e rrezikut të përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta”, i cili zbatohet nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, me fonde të Bashkimit Europian, Gjermanisë dhe Francës. 

 Burimi i të dhënave: Platforma e Monitorimit Dhunës së Armatosur – SEESAC

Mbajtja e armëve të zjarrit pa lejen e organeve kompetente shtetërore ka pasoja ligjore, konkretisht:

Neni 278, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”

  • Mbajtja e armëve, armëve shpërthyese ose e lëndëve plasëse në automjete apo në çdo mjet tjetër të motorizuar, në mjedise publike ose në mjedise të hapura për publikun, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga pesë deri shtatë vjet. Po kjo vepër, kur kryet më shumë se një herë ose në sasi të mëdha, dënohet me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
  • Mbajtja e municioneve luftarake, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.
  • Mbajtja e armëve në banesë, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet.
  • Mbajtja e armëve shpërthyese ose lëndëve plasëse në banesë, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga një deri në katër vjet.
  • Prodhimi, shitja, blerja, ofrimi për shitje, tregtimi dhe transporti i armëve dhe i municioneve luftarake, lëndëve plasëse, i armëve shpërthyese, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet. Po kjo vepër e parashikuar nga paragrafi i pestë i këtij neni, kur kryhet në sasi të mëdha, në bashkëpunim, më shumë se një herë ose ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet.

Përveç pasojave të parashikuara në bazën ligjore të mësipërme, personat ndeshen edhe pasoja të tjera administrative.