Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Shërbimet e Policisë në të gjithë vendin vijojnë kontrollet, punën hetimore dhe veprimet operative, për goditjen e paligjshmërive dhe garantimin e sigurisë publike.

Si rezultat, janë finalizuar 3 operacione policore në Tiranë, Shkodër dhe në Fier, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Shkolla të pastra”, si dhe kundër përshtatjes së ambienteve të marra me qira nga shtetase të huaja, për ushtrim të prostitucionit dhe/ose shitje të lëndëve narkotike.

Operacionet rezultuan me vënien në pranga të 4 shtetasve, procedimin e 3 të tjerëve dhe sekuestrimin e sasive të lëndëve narkotike kokainë dhe cannabis sativa, shumave të parave (në lekë dhe në euro) të përfituara nga veprimtaritë kriminale dhe celularëve të të përfshirëve.

Gjithashtu, janë kapur 2 shtetas të shpallur në kërkim kombëtar. Njëri prej tyre u kap nga strukturat e Policisë Kufitare, në hyrje të RSh-së, në PKK Goricë.

Në fushën e narkotikëve, janë evidentuar 17 raste në të gjithë territorin, me 4 shtetas të arrestuar dhe 9 të proceduar në gjendje të lirë. Për 5 prej këtyre rasteve po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 10 raste, me 12 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 3 të shpallur në kërkim.

Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 shpallën në kërkim shtetasit D. Q., 44 vjeç dhe E. Xh., 25 vjeç, pasi dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, në rrugën “Taulantia”, kanë qëlluar me armë zjarri. Punohet për kapjen e tyre dhe për sqarimin e rrethanave të rastit.

Më tej, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një 55-vjeçar, pasi dyshohet se, për motive pronësie, ka kanosur një shtetas. Nga kontrollet në banesën e të proceduarit u gjet sasi municioni luftarak, që u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për 2 shtetas, që dyshohet se janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin, për motive të dobëta. Dyshohet se njëri prej tyre ka kanosur tjetrin me pistoletë lodër.

Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 2 raste, me 1 shtetas të arrestuar dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të vjedhjes, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Për njërin prej rasteve po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.

3 prej të proceduarve (shtetas të mitur) dyshohet se shfaqen në një video të publikuar në rrjetet sociale, duke marrë në Tiranë, pa paguar, produkte të porositura nëpërmjet një shërbimi shpërndarjeje.

Janë evidentuar 7 raste të dhunës në familje, me 2 shtetas të arrestuar, 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim. Gjithashtu, janë plotësuar 9 kërkesëpadi për urdhra mbrojtjeje.

Janë evidentuar 12 raste të krimeve kundër mjedisit, me 2 shtetas të arrestuar në Tiranë dhe 10 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Peqin proceduan penalisht në gjendje të lirë administratorin e një subjekti në fushat e ndërtimit dhe inerteve, shtetasin M. K., 32 vjeç, për veprat penale “Shpërdorimi i tokës” dhe “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës”.

Veprimet u kryen nisur nga një njoftim i gazetarëve të emisionit “Fiks Fare”, se 32-vjeçari shfrytëzonte pa leje një sipërfaqe toke në pronësi të tij. Me cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 ekskavatorë që dyshohet se përdoreshin për gërmime, ndërkaq, specialistët e IKMT-së pezulluan punimet dhe morën masë administrative ndaj subjektit.

Për një tjetër rast në këtë fushë, u shpallën në kërkim 2 shtetas që dyshohet se kanë prerë dru në zonën e mbrojtur të Parkut të Shebenikut. Punohet për kapjen e tyre.

Po nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Peqin u procedua penalisht në gjendje të lirë një 64-vjeçar, pasi dyshohet se në fshatin Galush, Peqin, ka ndezur zjarr për të djegur disa mbeturina në tokën e tij dhe, si pasojë e përhapjes së flakëve, janë djegur sipërfaqe pyjore dhe sipërfaqe toke të mbjella me ullinj dhe me pemë frutore.

Në fushën e krimeve ekonomiko-financiare janë evidentuar 5 raste, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim.

Është arrestuar 1 shtetas për thyerje të masës së sigurisë; është proceduar 1 shtetas për ngacmim seksual ndaj një shtetasi të huaj; është proceduar 1 shtetas për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, si dhe janë proceduar 20 shtetas për vepra penale të tjera.

Më tej, në Tiranë u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 7 shtetas, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Prishja e qetësisë publike”, dhe për 2 shtetas, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.

Janë arrestuar 5 shtetas dhe janë proceduar penalisht 6, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, janë proceduar penalisht 6 shtetas, pasi kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.

Në lidhje me informacionin e dhënë dje, mbi aksidentin në fshatin Larushk, në përfundim të veprimeve të para hetimore u arrestuan shtetasit K. C., 44 vjeç dhe M. S., 18 vjeç, pasi, si pasojë e përplasjes së automjetit që drejtonte ky i fundit, pa leje drejtimi, me automjetin që drejtonte 44-vjeçari, ka humbur jetën një shtetas i huaj dhe është dëmtuar 44-vjeçari.

Kuçovë/Dje, është gjetur në rrugë, në fshatin Gegë, trupi i pajetë i shtetasit Xh. C., 77 vjeç, banues në Kuçovë, i cili ishte larguar nga banesa më datë 27.09.2026. Paraprakisht, dyshohet se ky shtetas e ka humbur jetën prej shkaqeve natyrale. Grupi hetimor po punon për të dokumentuar rrethanat e rastit.

Mat/Dje, shërbimet e Policisë mundësuan gjetjen në gjendje të mirë shëndetësore dhe shoqërimin në banesë të shtetasit O. K., 30 vjeç, banues në Burrel, i cili ishte larguar nga banesa më datë 29.09.2026.

Divjakë/Dje, kallëzoi shtetasja E. B. se ishte larguar nga banesa vajza e saj, 16 vjeçe. Punohet për gjetjen e të miturës.

Interpol Tirana/Si rezultat i komunikimit dhe bashkëpunimit disamujor ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe specialistëve të Interpol Madridit, gjatë kësaj faze të operacionit të koduar “The Wanted”, u finalizua procedura për ekstradimin nga Spanja, në Shqipëri, të shtetasit E. Ll., 42 vjeç, lindur në Lezhë. Ky shtetas është dënuar nga Gjykata e Lezhës, me 2 vjet, 6 muaj dhe 15 ditë burgim, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, pasi në vitin 2015, në subjektin (servis) në pronësi të vëllait të tij, ka plagosur me armë zjarri (pistoletë), shtetasin M. S., gjatë një konflikti për motive të dobëta.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke u garantuar reagim profesional, të shpejtë dhe anonimitet të sigurt.