Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Shërbimet e Policisë në të gjithë vendin vijojnë kontrollin e territorit, monitorimin e qarkullimit dhe operacionet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për goditjen e paligjshmërive.

Si rezultat i punës hetimore dhe operative, si dhe kontrolleve në terren, janë finalizuar 5 operacione në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, kapjes/ndalimit të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, armëmbajtjes pa leje, transportimit të emigrantëve të paligjshëm dhe vjedhjes.

Janë kapur/ndaluar 2 shtetas që ishin në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 14 raste në të gjithë territorin, me 1 autor të arrestuar dhe 12 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 2 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve. Për këto raste janë sekuestruar sasi të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe cannabis sativa, si dhe janë asgjësuar bimë kanabisi të kultivuara.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste, me 11 autorë të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin e autorit/ëve.

Gjithashtu, u arrestuan 3 shtetas, për thyerje të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Në Korçë, u procedua në gjendje të lirë 1 shtetas për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, administrator i një biznesi, pasi gjatë procesit të punës është dëmtuar punonjësja e tij, e cila, pas marrjes së ndihmës mjekësore, është larguar për në banesë.

Ndërkohë, në Durrës, u proceduan penalisht në gjendje të lirë 2 shtetas 18-vjeçarë, D. B. dhe A. M., pasi në lagjen nr. 6, Durrës, pas një konflikti të çastit, në bashkëpunim, kanë goditur me grusht shtetasin D. H., 25 vjeç, duke i shkaktuar dëmtime fizike.

Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 6 raste, me 1 autor të arrestuar dhe 3 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 3 raste po punohet për identifikimin e autorit/ëve.

Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, me 1 autor të arrestuar dhe 3 të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 5 kërkesëpadi për urdhër mbrojtjeje.

Janë evidentuar 6 raste të krimeve kundër mjedisit, me 1 autor të arrestuar dhe 5 të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste në fushën e vjedhjes, me 1 autor të arrestuar, 1 të proceduar, ndërsa për 2 raste po punohet për identifikimin e autorit/ëve.

Janë evidentuar 2 raste të krimeve ekonomiko-financiare, me 3 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, me 4 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kibernetike u proceduan në gjendje të lirë 2 shtetas të dyshuar për veprën penale “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private”.

Në Tiranë, u procedua në gjendje të lirë një 56-vjeçar, pasi më datë 03.10.2026, në fshatin Zbarqe, ka qëlluar në ajër me armën e gjahut. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma e gjahut, çifte, të cilën e kishte me leje, si dhe disa gëzhoja.

Janë proceduar penalisht 10 shtetas për vepra të ndryshme penale.

Janë arrestuar 4 shtetas dhe janë proceduar penalisht 6 të tjerë, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, është proceduar penalisht 1 shtetas, pasi ka shkelur rregullat e qarkullimit rrugor.


 

 

Pogradec/Informacion paraprak

Rreth orës 12:30, në rrugën e Volorekës, në Pogradec, një kamion me drejtues shtetasin G. S. është përplasur me një biçikletë që drejtohej nga shtetasi J. L., rreth 26 vjeç, i cili do të dërgohet për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës, Tiranë.  Drejtuesi i automjetit, shtetasi G. S., është shoqëruar në Komisariat, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke u garantuar reagim profesional, të shpejtë dhe anonimitet të sigurt