Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 30 tetor 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Durrës – Policia e Durrësit në bashkëpunim me Policinë e Tiranës vë në pranga një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore në fushën e krimeve ndaj personit. Pas një ndjekjeje disaditore nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, Tiranë e Durrës u bë i mundur identifikimi i vendndodhjes dhe kapja e 34-vjeçarit, i kërkuar për vrasje. Qarkullonte me shpejtësi tej normave të lejuara, nën efektin e lëndëve narkotike, me kartë identiteti të falsifikuar dhe nuk iu bind urdhrit të Policisë për të ndaluar në dy pika kontrolli, por prangoset pas ndjekjes dhe bllokimit të rrugës në Shkozet, Durrës, 34-vjeçari nga Vlora, i shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municioneve”. Seksioni i Narkotikëve në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Tiranë pas informacioneve të marra për vendndodhjen e personit në kërkim organizoi punën për kapjen e tij, i cili sapo ka parë Policinë ka lëvizur me shpejtësi të madhe në Drejtim të Durrësit. Menjëherë është njoftuar Policia e Durrësit dhe në hyrje të Durrësit, Policia ngriti një pikë kontrolli me qëllim bllokimin e automjetit, por edhe në këtë pikë kontrolli drejtuesi i mejtit nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë për të ndaluar duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë dhe është larguar me shpejtësi. Forca e Posaçme Shqiponja e DVP Durrës dhe ato të Qarkullimit Rrugor i janë vënë në ndjekje dhe në vendin e quajtur “Mbikalimi i këmbësorëve” te unaza e Shkozetit, u bë bllokimi i mjetit së bashku me personat, të cilët u shoqëruan në Polici. Gjatë kontrollit të mjetit u gjetën një sasi e vogël lënde narkotike cannabis dhe dy karta identiteti me iniciale A. S., dhe S. J.. Pas verifikimit të bërë karta e identitetit me emër A. S. rezultoi e falsifikuar, pasi fotografia në kartë i përkiste shtetasit në kërkim Eduart Xhezo, 34 vjeç, banues në Vlorë, për të cilin Gjykata e Shkallës Parë Vlorë, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasje në rrethana cilësuese”, kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municioneve”, pasi më datën 04.08.2019, rreth orës 19.30, në lagjen “1 Maj”, Vlorë janë goditur me armë shtetasit A. B., E. B. dhe N. H. dhe ky shtetas dyshohet si një nga autorët e kësaj ngjarjeje. Shtetasi Eduart Xhezo është person me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve ndaj personit dhe armëmbajtjes pa leje, i dënuar më parë për tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje.


Tiranë – Goditet një tjetër rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Finalizohet operacioni policor i koduar “Vjeshta”. Në pranda dy shtetas. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në kuadër të operacionit policor të koduar “Vjeshta”, ndaluan shtetasit: L. A., 37 vjeç, banues në fshatin Vakumonë, në Shëngjergj, Tiranë dhe L. A., 24 vjeç, banues në fshatin Vakumonë, në Shëngjergj, Tiranë.  Këta dy shtetas në bashkëpunim me shtetasin A. M., (të ndaluar më parë nga Policia), në bashkëpunim dhe me persona të tjerë, për të cilët nuk bëjmë me dije të dhëna të tjera për arsye hetimi , në vendin e quajtur “Stani i Varrosit” në fshatin Vakumonë, në Shëngjergj, kanë kultivuar disa bimë të dyshuara narkotike të llojit kanabis. Po punohet intensivisht për kapjen dhe ndalimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Materialet proceduarale i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike, kryer në bashkëpunim”.

Tiranë – Operacion policor i koduar “Stacioni i fundit”, zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 3. Operacioni për zbardhjen, dokumentimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të vjedhjeve të portofolëve në linjat e autobusëve urban të Tiranës. Zbardhen dhe dokumentohen me prova ligjore 5 raste të vjedhjes së portofolave. Në pranga një shtetas dhe një tjetër shpallet në kërkim. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, nisur nga shqetësimet dhe kallzimet e bëra nga qytetarët për vjedhjet e portofolëve në autobusat e linjës urbane të Tiranës së Re, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë organizuan operacionin policor të koduar “Stacioni i fundit” në kuadër të të cilit u bë arrestimi i shtetasit M. Xh., 42 vjeç, banues në Tiranë (i dënuar më parë për “Vjedhje). Si dhe u shpall në kërkim shtetasi V. J., 65 vjeç, banues në Tiranë (i dënuar më parë për “Vjedhje). Në sajë të materialeve të administruara, këqyrjes së pamjeve filmike dhe veprimeve të tjera hetimore, rezulton se këta dy shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë autorë edhe të 5 rasteve të mëposhtme të vjedhjeve të portofolave: Vjedhjes së portofolit të shtetasit S. J., të ndodhur më datë 28.10.2019; Vjedhjes së portofolit të shtetases B. D., të ndodhur më datë 28.10.2019; Vjedhjes së portofolit të shtetases D. S., të ndodhur më datë 05.03.2019; Vjedhjes së portofolit të shtetases M. K., të ndodhur më datë 24.03.2019 dhe vjedhjes së portofolit të shtetases Xh. L., të ndodhur më datë 02.05.2019. Materialet procedurale i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Vjedhja, e kryer në bashkëpunim”.

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 98 shtetas, konkretisht: 28 janë arrestuar, 6 janë ndalur dhe 64 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, në të gjithë territorin, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste, konkretisht: 1 rast i “Kanosja”, në qarkun Dibër; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Korçë, 1 në Kukës dhe 1 në Dibër; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Elbasan dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të dhunës në familje, 1 në qarkun Lezhë, ku autori është arrestuar në flagrancë, 1 në Tiranë dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 4 kërkesë – padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 14 raste, konkretisht: 1 në Tiranë, 1 në Gjirokastër dhe 2 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Vlorë, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 9 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 1 në Vlorë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 8 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, 4 në Durrës, 1 në Elbasan, 1 në Fier, 1 në Dibër dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 2 raste, 1 në Elbasan dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 5 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 7 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar në flagrancë 8 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 4 në Tiranë, 1 në Berat, 1 në Fier, 1 në Vlorë dhe 1 në Dibër.

Janë evidentuar dhe proceduar 14 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 8 në Tiranë, 5 në Berat dhe 1 në Vlorë.

Janë proceduar 2 shtetas për kalim të paligjshëm të kufirit.

 

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.