DVP Fier
Kontrolle intensive për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe rritjen e parametrave të sigurisë publike.
Finalizohen në Fier dhe Lushnjë 3 faza të operacionit policor të koduar “Siguria”.
Sekuestrohen 4 armë zjarri, 2 armë gjahu, municion luftarak dhe 2 maska silikoni.
Vihen në pranga 4 shtetas dhe shpallet në kërkim një tjetër.
Armët e zjarrit të sekuestruara në Lushnjë dyshohet se janë përdorur në një ngjarje kriminale të ndodhur më parë.
Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional “Siguria”, për parandalimin e ngjarjeve kriminale, goditjen e armëmbajtjes pa leje dhe të veprimtarisë së paligjshme në fushën e narkotikëve, shërbimet e Policisë finalizuan tri faza të këtij operacioni, konkretisht:
1.Në Fier, u arrestua në flagrancë shtetasi S. M., 42 vjeç, banues në Fier. Ky shtetas qarkullonte me lëndë narkotike kokainë, drejtonte automjetin në gjendje të dehur dhe, gjatë kontrollit, iu gjetën dy maska silikoni, që dyshohet se do t’i përdorte për të kryer veprimtari kriminale.
2.Po në Fier, gjatë fazës së dytë të operacionit, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, u kapën dhe u vunë në pranga dy shtetasit Z. T., 60 vjeç, dhe E. T., 25 vjeç (babë e bir), të dy banues në Fier.
Gjatë kontrollit në banesë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan dy armë zjarri (një kallashnikov dhe një pistoletë), një armë gjahu, municion luftarak dhe një përforcues grushti (dorezë metalike).
3.Ndërsa në Lushnjë, gjatë fazës së tretë të operacionit, shërbimet e Policisë vunë në pranga shtetasin M. B. dhe shpallën në kërkim shtetasin L. B., 32 vjeç, të dy banues në Lushnjë (babë e bir).
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, pas një hetimi disa javor, ushtruan kontroll në banesën e këtyre shtetasve, ku gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, dy armë zjarri kallashnikovë, municion luftarak dhe një armë gjahu.
Paraprakisht, dyshohet se këto armë janë përdorur në një ngjarje kriminale të ndodhur më parë.
Armët e zjarrit të sekuestruara në Lushnjë dhe Fier do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme.
Ndërkohë, vijon puna për kapjen e shtetasit L. B., të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
