Raporti ditor i ngjarjeve, 9 gusht 2023

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Plazh, Durrës-Kishin ardhur në mënyrë të mënyrë të organizuar, nga qyteti i Beratit, për të shfrytëzuar për të lypur, fëmijët e tyre 4-7 vjeç, procedohen penalisht 5 shtetas.Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh, gjatë patrullimeve të vazhdueshme, me qëllime garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, kanë konstatuar se disa fëmijë shfrytëzoheshin për të lypur.Për rastet e konstatuara, janë referuar materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. B., Sh. K., A. B., R. B. dhe V. D., pasi nga verifikimet ka rezultuar se kishin ardhur në mënyrë të mënyrë të organizuar, nga qyteti i Beratit, për të shfrytëzuar për të lypur, fëmijët e tyre të moshave 4-7 vjeç.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturit”.

Gjirokastër/Vihen në pranga 3 shtetas dhe procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër, për vepra të ndryshme penale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Dropull-Libohovë arrestuan në flagrancë shtetasin E. B., 26 vjeç, banues në Libohovë, pasi ka kundërshtuar me dhunë, përgjegjësin e Sektorit të Ujësjellësit, Libohovë, shtetasin B. M., 60 vjeç, i cili së bashku me grupin e punës, kishte shkuar në banesën e 26-vjeçarit, për të kryer veprime administrative me matësin e ujit, në këtë banesë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Memaliaj arrestuan në flagrancë shtetasin V. H., 63 vjeç, banues në Memaliaj, pasi në tokën e tij, u gjetën 7 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin Sh. R., 45 vjeç, banues në Përmet, pasi u kap duke drejtuar pa leje, një automjet pa targa.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit  të Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. K., 82 vjeç, banues në Mashkullorë, pasi u kap duke kryer punime ndërtimi, pa leje.

Në fshatin Qelarisht, njësia administrative Petran, është djegur një sipërfaqe toke me drurë frutorë dhe me bimësi të egër. Policia vijon punën për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti zjarrvënieje, si dhe për identifikimin dhe arrestimin e autorit/ëve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjitshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Himarë/Finalizohet operacioni policor i koduar “All in”, si rezultat i një hetimi disajavor, të ndjekur me metoda proaktive.

✅Nga operacioni zbulohet se territoret e 2 lokaleve në afërsi të njëri-tjetrit, në plazhin e Krorëzës, ishin përshtatur për kultivim dhe shitje të cannabis sativës dhe për mbajtje të municionit luftarak, si dhe se për llogari të tyre, ishte pushtuar hapësirë publike, për çadra dhe shezlongë.

-Vihen në pranga 2 pronarë të këtyre lokaleve, shpallet në kërkim pronari tjetër. Procedohet penalisht kamerieri, për moskallëzim të krimit.

✅Gjithashtu, zbulohet se për llogari të një lokali tjetër ishte pushtuar hapësirë publike, në plazhin e Krorëzës, për të vënë çadra dhe shezlongë.

-Procedohet penalisht pronari i këtij subjekti.

Sekuestrohen lëndë narkotike cannabis sativa, municion luftarak, 90 çadra dhe 180 shezlongë, si dhe asgjësohen nëpërmjet djegies bimë narkotike cannabis sativa.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive dhe për rritjen e parametrave të sigurisë, përgjatë sezonit turistik 2023, kanë siguruar informacione se në 3 lokale në plazhin e Krorëzës, kryheshin veprimtari të kundërligjshme. Bazuar në këto informacione, është ndjekur një hetim disajavor, me metoda speciale, në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës, si rezultat i të cilit është finalizuar operacioni policor i koduar “All in”.

Në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan shtetasit A. N., 28 vjeç dhe E. I., 39 vjeç, të dy banues në Sarandë; u shpall në kërkim shtetasi K. V., 28 vjeç, banues në Himarë dhe u proceduan në gjendje të lirë shtetasit Th. M., 19 vjeç, banues në fshatin Piqeras dhe F. K., 25 vjeç, banues në Himarë.

-Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasit A. N. dhe K. V., si dhe shtetasi E. I., kishin përshtatur 2 lokalet në pronësi të tyre, në plazhin e Krorëzës, për veprimtaritë kriminale të kultivimit dhe shitjes së cannabis sativës dhe se kishin pushtuar hapësirë publike, për të vënë çadra dhe shezlongë, pa autorizim. Gjatë kontrollit të ambienteve të këtyre lokaleve dhe të territoreve përreth, u gjetën një sasi lënde narkotike cannabis sativa e ndarë në vazo dhe në qese, një sasi municioni luftarak dhe 89 bimë narkotike cannabis sativa. Gjithashtu, për këtë rast u procedua në gjendje të lirë, për moskallëzim të krimit, shtetasi Th. M., kamerier. Më tej, lënda narkotike, municioni luftarak, çadrat dhe shezlongët u sekuestruan në cilësinë e provës materialet, ndërsa bimët narkotike u asgjësuan nëpërmjet djegies.

-Në vijim të këtij operacioni, u konstatua se për llogari të një lokali tjetër, gjithashtu në plazhin e Krorëzës, ishte pushtuar hapësirë publike, me qëllim vënien e çadrave dhe shezlongëve, pa autorizim. Për këtë rast, u procedua penalisht pronari i këtij lokali, shtetasi F. K., si dhe u sekuestruan çadrat dhe shezlongët.

Vijon puna për kapjen e shtetasit K. V.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

DVP Dibër/Finalizohet operacioni policor i koduar “Zoom in”, kundër veprimtarisë kriminale të vjedhjes.

Zbardhen 7 raste të vjedhjes së pasurisë, të kryera gjatë 4 muajve të fundit në Dibër dhe në Mat, nga 2 grupe shtetasish.

📍Dibër/Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për vjedhje, për të vjedhur sërish, së bashku me 2 shtetas të tjerë, arrestohet 32-vjeçari dhe 2 bashkëpunëtorët e tij (autorë të 5 vjedhjeve).

📍Mat/Vodhi në bashkëpunim me një 17-vjeçar, 2 motomjete, identifikohet dhe shpallet në kërkim 44-vjeçari. Procedohet në gjendje të lirë, për shkak të moshës, 17-vjeçari.

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera nga specialistët e seksioneve për Hetimin e Krimeve të komisariateve të Policisë Dibër dhe Mat, me qëllim zbardhjen e disa vjedhjeve të kryera gjatë muajve të fundit, në territorin e qarkut Dibër, është finalizuar operacioni policor i koduar “Zoom in”, në kuadër të të cilit janë zbardhur 7 raste vjedhjesh.

-Në Dibër, për 5 raste vjedhjesh, u identifikuan, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasi M. T. (T.), 32 vjeç, banues në fshatin Vakuf, si dhe shtetasit K. H., 21 vjeç dhe G. Z., 29 vjeç, të dy banues në fshatin Ushtelenxë. 32-vjeçari kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata, për vjedhje, me qëllim kryerjen e vjedhjeve të tjera në 2 lokale. Gjithashtu, nga veprimet hetimore rezultoi se ky shtetas dhe shtetasit K. H. dhe G. Z. janë autorë të vjedhjeve në 3 banesa, në territoret e njësive administrative Muhurr dhe Kastriot. Vijojnë hetimet për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas.

-Në Mat, u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi I. D., 44 vjeç, banues në Mat, si dhe u referuan materialet në Prokuroi, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një 17-vjeçar, pasi nga veprimet hetimore rezultoi se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur 2 motomjete, në fshatrat Zenisht dhe Rrethe-Baz. Vijon puna për kapjen e 44-vjeçarit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër,  për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 90 shtetas, konkretisht: 15 shtetas janë vënë në pranga, 67 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 11 raste, 3 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 7 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, është evidentuar 1 rast, me 1 shtetas të vënë në pranga.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 9 raste, me 14 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të krimeve ekonomike, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 3 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.1 shtetas tjetër i kërkuar për një krim në këtë fushë, është ndaluar. Është evidentuar 1 rast i falsifikimit të dokumenteve, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë janë evidentuar 10 raste, 6 prej të cilave me autorë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 3 shtetas janë vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 19 raste, njëri prej të cilave me autor/ë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera, 18 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, me 2 shtetas të vënë në pranga, 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 7 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-6 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 1 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-5 raste të shfrytëzimit të fëmijëve për të lypur, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 1 shtetas të vëmë më pranga dhe 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të kundërshtimit me dhunë, të punonjësit të Policisë dhe të një punonjësi të Ujësjellësit, me 2 shtetas të vënë në pranga;

-2 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të shpallur në kërkim. Gjithashtu, 1 shtetas tjetër i shpallur në kërkim për këtë vepër penale, është ndaluar.

-3 raste të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe 2 raste të veprës penale “Dhunimi i banesës”, të gjitha me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, njëri prej tyre me autor ende të paidentifikuar, ndërsa rasti tjetër, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprës penale “Përndjekja”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 4 aksidente, si pasojë e të cilave 5 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 13 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autor ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 7 shtetas janë vënë në pranga dhe 5 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.