Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
DVP Vlorë/Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Forca e Posaçme Operacionale, me mbështetjen e inteligjencës informative, operacioni policor i koduar “VORTEX”. Transportonin sasi të lëndëve narkotike në Vlorë, për t’ua shitur shtetasve të tjerë që i shpërndanin në doza, kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 2 shtetas. Sekuestrohen rreth 3.4 kilogramë kokainë dhe 133 gramë heroinë, me vlerë rreth 810 000 euro. Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me ata të Sektorit të Forcës së Posaçme Operacionale, të DVP Vlorë, në vijim të operacioneve për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë organizuar dhe finalizuar, pas 4 javësh hetime, operacionin policor të koduar “VORTEX”. Gjatë këtij operacioni u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, shtetasit V. J., 53 vjeç, dhe K. M., 37 vjeç, të dy banues në Fier. Në fshatin Novoselë, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar automjetin me drejtues shtetasin V. J. dhe pasagjer shtetasin K. M., në të cilin, gjatë kontrollit kanë gjetur dhe sekuestruar 400 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, e cila dyshohet se po transportohej në qytetin e Vlorës, për t’u shitur. Në vijim të veprimeve, strukturat e DVP Vlorë mbështetur dhe nga shërbimet e DVP Fier, ushtruan kontroll në banesën e shtetasit V. J., në Fier, ku gjetën dhe sekuestruan 2 kg e 979 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë dhe 133 gramë lëndë të dyshuar narkotike heroinë. Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, pasi siguronin lëndë narkotike në sasi të mëdhaja në Fier, e transportonin atë drejt Vlorës, ku më pas ua shitnin shtetasve të tjerë, të cilët e shpërndanin në doza. Lënda narkotike, së bashku me 3 peshore elektronike, 3 celularë dhe automjetin që këta shtetas përdornin për transport, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Vijon intensivisht puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 67 shtetas, konkretisht: 19 shtetas janë vënë në pranga, 46 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste. 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 2 raste – 2 shtetas janë vënë në pranga.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 4 raste – 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ekonomike, janë evidentuar 9 raste – 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprat penale në fushën e vjedhjes/tentativës për vjedhje të pronës dhe pasurisë janë evidentuar 6 raste, dy prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 6 raste – 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Dhuna në familje”. 2 shtetas janë vënë në pranga 3 janë proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 7 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:-3 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit. 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufijve, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale të thyrjes së masës së sigurisë, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 të shpallur në kërkim;
-nga 1 rast i trafikimit të mjeteve motorike dhe shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Kanë ndodhur 2 aksidente rrugore, me 3 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 13 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor – 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.