Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 8 Qershor 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë/Shkon në 14 numri i të arrestuarve në kuadër të operacionit antidrogë të koduar “Bistrica 2019”. Kapet dhe ndalohet shtetasi A.L, 38 vjeç, banues në Sarandë, sepse Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i narkotikëve“, ”Grupi i strukturuar kriminal”. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 telefona celularë dhe një mjet tip “Volkswagen”. Policia e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë për Krime të Rënda në Tiranë, në Maj 2019 finalizoi operacionin antidrogë të koduar “BISTRICA 2019”, ku pas një hetimi pro-aktiv, përgjatë një harku kohor disa mujor, duke aplikuar metodat speciale të hetimit gjatë operacionit policor të koduar “BISTRICA 2019”, u arrestuan dhe u ndaluan 13 persona si dhe u sekuestruan rreth 147 kg Cannabis Sativa, 4 automjete të markave të ndryshme; një sasi vlerash monetare dhe 14 aparate celularë me kartat Sim të markave të ndryshme. Po gjatë operacionit, në kontrollet e ushtruara u sekuestruan edhe tre armë zjarri ku   u vu në pranga një 52 vjeçar nga Mallakastra. Në operacion u përfshinë   Drejtoria Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, si dhe Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë dhe Fier. Nën drejtimin e Prokurorisë për Krime të Rënda vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të kryer nga ky grup kriminal.

Shkodër/Procedohen penalisht 2 shtetas, sekuestrohen lëndë piroteknike e fishekzjarrë me fuqi te larte shpërthyese, si dhe 85 kg saçme për prodhimin e fishekëve për armë gjuetie. Bllokohet 1 punishte artizanale. Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër gjatë 24 orëve të fundit kanë ushtruar kontroll të gjerë në dyqane, magazina e ambiente për të parandaluar, evidentuar dhe goditur veprimtarinë e paligjshme të tregtimit të lëndëve piroteknike dhe fishekzjarrëve. Në këtë kuadër është proceduar penalisht për veprat penale “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale” dhe “Fshehja e të ardhurave”, shtetasi K.K., banues në Shkodër. Nga kontrolli në dyqanin e tij janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi fishekzjarrësh dhe lëndë piroteknike. Gjithashtu është proceduar penalisht për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive“ dhe “Fshehje e të ardhurave“, shtetasi A.K., banues në Shkodër. Në banesën e tij u gjetën dhe sekuestruan ne cilësinë e provës materiale 85 kilogramë saçme që shërbejnë për mbushje të fishekëve të armeve te gjuetisë. Ai, saçmat i përgatiste në një ambient që e kishte përshtatur si punishte artizanale, qe u bllokua në cilësinë e provës materiale. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër për veprime të mëtejshme.

Komisariati i Policisë nr 2, Tiranë/Kapet dhe arrestohet autori i dyshuar i plagosjes së rëndë me dashje të 35 vjeçarit. Specialistët për Hetimin e Krimit në bashkëpunim me Patrullat e Përgjithshme të Komisariatit të Policisë nr 2 në Tiranë, pas informacioneve të marra dhe kontrolleve të shumta, bënë kapjen dhe arrestimin e shtetasit: E. K., 22 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi u bë për veprën penale “Vrasja me dashje e mbetur ne tentative” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. Ky shtetas më datë 07.06.2019, rreth orës 13.00, në rrugën “Frosina Plaku”, për motive të dobëta ka goditur me thikë shtetasin S.P, 25 vjeç, banues në Tiranë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme.

Ndërko gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 100 shtetas, konkretisht: 13 janë arrestuar në flagrancë, 8 janë ndaluar dhe 79 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 8 shtetas pasi ishin shpallur në kërkim: 4 në qarkun Tiranë, për veprat penale “Vjedhja”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, “Dhuna në familje”, “Ndërtimi i paligjshëm”; 2 shtetas në qarkun Fier, njëri  prej tyre për veprat penale “Falsifikimi i monedhave”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe tjetri për veprën “Dhuna në familje”; 1 shtetas në qarkun Berat dhe 1 tjetër në Durrës për veprën penale “Vjedhja”.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, konkretisht: 1 rast në qarkun Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë; 1 rast në Vlorë me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 raste në Fier dhe Durrës me 2 autorë, të cilët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 14 raste, konkretisht: 6 raste të veprës penale “Kanosja”, 2 në qarkun Vlorë; 2 në qarkun Elbasan dhe 2 në qarkun Tiranë. 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 në Vlorë dhe 1 në Elbasan; 5 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 3 në Durrës dhe 2 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 10 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, 2 të ndaluar në qarqet Tiranë dhe Fier, 2 të proceduar në gjendje të lire në qarqet Tiranë dhe Vlorë, si edhe janë plotësuar 6 kërkesë-padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 13 raste, konkretisht: 1 rast në qarkun Durrës me 1 autor të ndaluar dhe 3 raste nga të cilat 2 në qarqet Shkodër dhe 1 në Vlorë, me 3 autorë, të cilët po procedohen në gjendje të lirë, si edhe 6 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 13 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, konkretisht: 5 në qarkun Tiranë, 4 në Elbasan, 2 në Fier dhe 2 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës është evidentuar 1 rast në qarkun Dibër, ku po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Janë evidentuar 6 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në territorin e Shqipërisë janë evidentuar 10 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 12 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Është evidentuar 1 shtetas që drejtonte mjetin në gjendje të dehur, në qarkun Korçë, i cili është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 6 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 4 në qarkun Tiranë të cilët u arrestuan në flagrancë, 1 në Fier dhe 1 në Vlorë të cilët u proceduan në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.