Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 30 janar 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Lezhë – Kapen dhe ndalohen 2 shtetas, të shpallur në kërkim për veprat penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim dhe “Moskallëzimi i krimit”. Zbardhen një seri vjedhjesh të ndodhura gjatë muajit janar 2020. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, në vijim të punës për parandalimin dhe zbulimin e vjedhjeve të banesave, lokaleve, makinave dhe serviseve, si rezultat i një pune profesionale për kapjen dhe ndalimin e personave që janë të përfshirë në vepra kriminale të vjedhjes, bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasve E. U.,19 vjeç dhe E. C.,16 vjeç, banues në Lezhë. Në bazë të hetimeve dhe të provave materiale të grumbulluara nga grupi hetimor rezulton se shtetasit e lartpërmendur, në bashkëpunim me njeri-tjetrin, janë autorë të disa vjedhjeve të ndodhura gjatë muajit janar, konkretisht: Më datë 25.01.2020 kanë vjedhur në një servis, në autostradën Lezhë-Milot, disa vegla si: pistoletë e madhe ajri e gomisterisë, 3 pistoleta ajri të vogla, 2  gurë fresibël dhe 2 trapanë, me vlerë rreth 2500 euro; Më datë 14.01.2020 kanë vjedhur në ambientet e Kryqit të Kuq në Lezhë disa artikuj ushqimorë; Më datë 14.01.2020, në lagjen “Besëlidhja”, Lezhë, kanë thyer xhamin e makinës tip “Opel”, në pronësi të shtetasit Gj. F., me qëllim për të vjedhur; Më datë 04.01.2020 kanë vjedhur me thyerje dyqanin e firmës Brunes Sh. P. K., ku kanë marrë serverin e kamerave të vëzhgimit dhe një celular. Materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe ”Vjedhja”, e kryer në bashkëpunim, për të cilën parashikohet dënimi deri në 5 vite burg.

Delvinë – Plagosi me armë 48-vjeçarin, por vihet në pranga menjëherë autori i dyshuar. Në orën 04:00 të mëngjesit të sotëm, në fshatin Kopaçëz, Delvinë, shtetasi K. N. ka plagosur në këmbë me armë zjarri, për motive të dobëta, shtetasin M. D., 48 vjeç, banues në Mirditë, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Me marrjen e njoftimit shërbimet e Policisë së Komisariatit të Policisë Delvinë dhe specialistët e Sektorit kundër Krimeve të Rënda në Komisariatin e Policisë Sarandë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe falë veprimeve të shpejta e profesionale kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar K. N., 73 vjeç, banues në fshatin Kopaçëz, si dhe bllokimin e armës së zjarrit tip kallashnikov, me të cilën ka kryer plagosjen.  Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave. Materialet do t’i kalojnë prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja me dashje, e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 72 shtetas, konkretisht: 15 janë arrestuar, 6 janë ndaluar dhe 51 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 6 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, në të gjithë territorin, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste: 6 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, 2 në Elbasan, 1 në Korçë, 1 në Lezhë dhe 1 në Dibër; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 8 raste të dhunës në familje: 6 në Tiranë, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Durrës dhe 1 në Fier, ku autorët janë arrestuar në flagrancë, si dhe janë plotësuar 16 kërkesë-padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 12 raste: 1 në Lezhë, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 në Durrës, 1 në Berat dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 8 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 8 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, 1 në Tiranë dhe 7 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë, 1 në Berat dhe 2 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës është evidentuar 1 rast, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”, në Tiranë, ku autori po procedohet ne gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 4 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 7 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 7 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 2 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Elbasan dhe 3 në Shkodër.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, në Tiranë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.