Korçë/Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, operacioni policor “Smoking kills”, për goditjen e një rasti të kontrabandës së mallrave për të cilat paguhet akcizë.
U kap në flagrancë në aksin rrugor “Pogradec – Qafë Thanë”, duke transportuar me automjet, 495 steka me cigare, pa pullë fiskale, të cilat dyshohet se i kishte kontrabanduar nga Greqia, arrestohet 48-vjeçari.
48-vjeçari, me precedent penal në fushën e narkotikëve dhe të kontrabandës.
Sekuestrohen stekat me cigare, automjeti dhe 2 celularë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Smoking kills”, për goditjen e një rasti në këtë fushë.
Gjatë operacionit, në aksin rrugor “Pogradec – Qafë Thanë”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin D. H. Gjatë kontrollit në këtë automjet janë gjetur 495 steka me paketa me cigare, të cilat dyshohet se janë futur në Shqipëri, pa kryer procedurat e zhdoganimit.
Në vijim të veprimeve për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi D. H., 48 vjeç banues në Tiranë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.