Këlcyrë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Mazhan”

Këlcyrë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Mazhan”, për goditjen e veprimtarive kriminale të vjedhjes dhe armëmbajtjes pa leje.

Vodhën me thyerje sende të ndryshme në një banesë, Policia identifikoi dhe vuri në pranga dy shtetas, si autorë të dyshuar.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 1 armë zjarri gjysmë automatike dhe sendet e vjedhura.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Këlcyrë, menjëherë pas marrjes së kallëzimit nga shtetasi B. M., se më datë 18.03.2025, persona të paidentifikuar kishin hyrë me forcë në banesë duke thyer derën dhe ishin vjedhur pajisje dhe sende të ndryshme, kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

Nga veprimet e shpejta hetimore dhe procedurale të kryera nga Stacioni i Policisë Këlcyrë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Ersekë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Mazhan”, u bë identifikimi, kapja dhe arrestimi i autorëve të dyshuar të vjedhjes, konkretisht shtetasit:

J. B., 22 vjeç banues në Ersekë dhe një 16-vjeçar, banues në Këlcyrë.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në një ndërtesë të vjetër në fshatin Mazhan, ku kanë gjetur dhe sekuestruar 1 armë zjarri gjysmë automatike, që dyshohet se e kishin fshehur këta shtetas.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale pajisjes dhe mjetet e vjedhura, të cilat këta shtetas i kishin shitur.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.