DVP Kukës, gjatë 24 orëve të fundit

DVP Kukës

-Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, për plagosjen me thikë të shtetasit A. M., bëjmë me dije se në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Kukës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Tropojë, ndaluan shtetasin F. S., 19 vjeç, banues në Tropojë, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Nga veprimet hetimore dyshohet se dje, në qytetin e Bajram Currit, ky shtetas ka plagosur me mjet prerës thikë, për motive të dobëta, shtetasin A. M., 46 vjeç, banues në Tropojë, i cili vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Mjeti prerës (thikë) me të cilin dyshohet se është kryer plagosja, është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

-Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, shtetasin K. D., 24 vjeç, banues në Berat, pasi u konstatua duke drejtuar pa leje drejtimi, automjetin e tij, në të cilin gjatë kontrollit u gjet një shkop metalik. Shkopi u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.