Në vijim të informacionit të dhënë mbrëmë, për aksidentin në aksin rrugor “Gjirokastër-Kakavijë”, informojmë se specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, shtetasin A. K., drejtues i automjetit që u përplas me motomjetin me drejtues shtetasin A. V.. I dëmtuari nga aksidenti, shtetasi A. V. vijon të jetë në kujdesin e mjekëve.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin F. V., 59 vjeç, banues në Berat, pasi dyshohet se ka kontrabanduar nga Greqia, bagëti të imëta. Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, nisi procedimi penal dhe për shtetasin E. M., 34 vjeç, banues në Durrës, me detyrë doganier në Degën Doganore Kakavijë, pasi dyshohet se nuk ka kryer kontroll në automjetin e 59-vjeçarit, në hyrje të Shqipërisë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Përmet referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasen A. R., 39 vjeçe, banuese në fshatin Kutal, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka shtyrë një shtetase të moshuar, e cila si pasojë është rrëzuar dhe dëmtuar lehtë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.