Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, gjatë 24 orëve të fundit

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare ekzekutuan masën e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasin në kërkim E. H., 34 vjeç, banues në Elbasan, caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, me vendimin e datës 13.01.2025, për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, kryer në bashkëpunim.

Në vijim të informacionit të dhënë dje, për aksidentin rrugor në aksin “Cërrik-Gramsh”, si pasojë e të cilit humbi jetën shtetasi A. H., 52 vjeç, pasagjer, si dhe u dëmtuan 2 drejtuesit e automjeteve dhe 1 pasagjer, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën, informojmë se specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë 2 drejtuesit e automjeteve, shtetasit G. K., 21 vjeç dhe E. H., 39 vjeç, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” me pasojë vdekjen.

Po nga këto specialistë:

-u arrestua në flagrancë shtetasi Xh. P., 26 vjeç, pasi automjet që e drejtonte në gjendje të dehur është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin B. Sh., 38 vjeç. Nga aksidenti janë shkaktuar vetëm dëme materiale;

-u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin R. K., 41 vjeç, pasi në aksin rrugor “Librazhd-Elbasan”, automjeti që ai drejtonte është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin N. C., 31 vjeç. Si pasojë janë dëmtuar shtetasi R. K. dhe pasagjeri në automjetin me drejtues shtetasin N. C., të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasen N. S., 57 vjeçe, pasi ka goditur me send të fortë (lopatë), një 25-vjeçare, për motive të dobëta. 25-vjeçarja mori mjekim dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.