Drejtoria Vendore e Policisë Berat, gjatë 24 orëve të fundit

Drejtoria Vendore e Policisë Berat

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Berat arrestuan në flagrancë shtetasin E. T., 44 vjeç, banues në lagjen “Barrikadë”, pasi dyshohet se në këtë lagje, ka vjedhur gjatë natës, pajisje kompjuterike dhe pije alkoolike, në një lokal. Gjithashtu, dyshohet se më datë 26.01.2025, në lagjen “30 Vjetori”, ka vjedhur një biçikletë. Sendet e vjedhura u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Të njëjtat shërbime referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. K., 30 vjeç, banues në lagjen “Çlirim”, pasi dyshohet se më datë 21.01.2025, në lagjen “Çlirim”, ka dëmtuar kamerat e vëzhgimit të vendosura nga bashkia. Gjithashtu, gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike kanabis.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit V. T., 53 vjeç dhe V. T., 51 vjeçe, të dy banues në Kuçovë, pasi dyshohet se kanë dëmtuar me sende të forta, murin e banesës së shtetasit D. T., 60 vjeç, banues në fshatin Krekëz, për motive pronësie.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat.