Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Tiranë/Finalizohet një tjetër fazë e operacionit të koduar “Destinacioni” kundër veprimtarisë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike, nëpërmjet shërbimit postar.
Vihet në pranga një 24-vjeçar që trafikonte nga SHBA në Shqipëri, lëndë narkotike kanabis me përqindje të lartë THC.
Sekuestrohen rreth 3.6 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis me përqindje të lartë THC, me vlerë 50 000 euro.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, Komisariatin e Policisë Rinas dhe Filialin Qendra Tranzite e Postës Shqiptare, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka finalizuar një tjetër fazë të operacionit “Destinacioni”, kundër veprimtarisë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike, nëpërmjet shërbimit postar.
Si rezultat i operacionit policor të koduar “Destinacioni 5”, u arrestua shtetasi F. V., 24 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në një degë postare, duke marrë një pako me rreth 3.6 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis me përqindje të lartë THC, që dyshohet se është trafikuar nga SHBA.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të dyshuar të përfshirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Dibër
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Dibër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit B.B., 34 vjeç, N.F., 56 vjeç dhe S.F., 54 vjeç, të tre banues në Maqellarë, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetaset B.C., 24 vjeçe dhe E.B., 25 vjeçe, banuese në Bulqizë, pasi për motive të dobëta janë konfliktuar me një shtetase 62-vjeçare.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
Divjakë
Në lidhje me ngjarjen e mbrëmshme, në fshatin Fierseman, informojmë se në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Sh. K., 50 vjeç, për veprat penale “Kanosja”, “Dhuna në familje” dhe “Shkatërrimi i pronës”.
Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. G., 57 vjeç, për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë referuan
materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin B. N., 43 vjeç (me probleme të shëndetit mendor), pasi dyshohet se ka hyrë me mjet prerës (thikë) në dorë, në ambientet e një supermarketi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. Gj., 65 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “Ushtrimi i aktivitetit të palicencuar në organet tatimore”, pasi dyshohet se ushtronte aktivitet jashtë fushës së veprimtarisë, në biznesin e tij (servis automjetesh).
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. P., 30 vjeç, banues në fshatin Vukpalaj, pasi ditën e djeshme, në aksin rrugor “Shkodër-Hani i Hotit”, automjeti që drejtonte është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin A. K., 85 vjeç. Nga aksidenti është dëmtuar lehtë 85-vjeçari.
Oficerët e Policisë Gjyqësore referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin B. H., 33 vjeç, banues në Shkodër, pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë:
-arrestuan në flagrancë shtetasin F. S., 40 vjeç, banues në fshatin Gajush, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje;
-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një 17-vjeçar, banues në Shëngjin, pasi dyshohet se ka goditur me grushte një 14-vjeçar, për motive të dobëta.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mirditë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit Gj. S., 58 vjeç dhe E. B., 48 vjeç, banues në Mirditë, pasi kanë goditur njëri-tjetrin, me grushte, për motive të dobëta.
Specialistët e Seksionit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. Gj., 45 vjeç, banues në fshatin Shënkoll, pasi në këtë fshat, duke drejtuar motomjetin, në gjendje të dehur, ka humbur kontrollin dhe është rrëzuar në rrugë. Ky shtetas ndodhet në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin P. D., 37 vjeç, banues në Kuçovë, pasi gjatë kontrolleve fizike dhe në banesë, iu gjetën sasi të vogla lënde narkotike Kokainë.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Dimal referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. D., 39 vjeç, banues në Dimal, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.
Ditën e djeshme, dyshohet se është dëmtuar aksidentalisht, në dorë, duke prerë dru në fshatin Mëlovë, shtetasi E. Y., 35 vjeç, i cili është jashtë rrezikut për jetën. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, me qëllim vlerësimin juridik të rastit.
Informacion paraprak/Rreth orës 20:30, ka humbur jetën në spital, dyshohet si pasojë e arrestit kardiak, shtetasi austriak G. L., 84 vjeç, i cili ishte akomoduar me qëllime turistike, në një hotel në Berat. Grupi hetimor po punon për të dokumentuar shkakun e vdekjes së këtij shtetasi.
Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër
Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore arrestuan në flagrancë shtetasin A. C., 56 vjeç, banues në Tiranë, pasi u kap në aksin rrugor “Ura e Leklit-Çarçovë”, duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi më datë 08.04.2025, rreth orës 15:30, në lagjen “Cfak”, është gjetur në lulishten e një lokali, pa shenja jete, shtetasi A. S., 57 vjeç, i pastrehë. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ky shtetas ka humbur jetën për shkaqe natyrale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
DVP Vlorë/Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, falë inteligjencës policore.
Fshihte kokainën në lokalin e tij dhe e ndante në doza për shitje, vihet në pranga 48-vjeçari.
Sekuestrohen 55 doza kokaine dhe municion luftarak.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë, në kuadër të veprimeve operacionale për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, pas administrimit të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, organizoi dhe kreu kontroll në një lokal bar-kafe në rrugën “Demokracia”, Vlorë, në posedim të një shtetasi që dyshohej për shpërndarje të lëndëve narkotike.
Si rezultat u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi L. T, 48 vjeç, banues në lagjen “Osman Haxhiu”, Vlorë.
Gjatë kontrollit personal dhe në ambientet e lokalit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi lëndë narkotike të dyshuar kokainë, të ndara në 55 doza, si dhe 10 fishekë luftarakë.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit luftarak”.
Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë
Kontrabandoi mallra nga Greqia, arrestohet në flagrancë, gjatë transportimit të tyre, 51-vjeçari.
Procedohet penalisht, për shpërdorim të detyrës, doganieri që ishte në shërbim, kur 51-vjeçari kaloi në PKK Kapshticë, automjetin me mallrat.
Sekuestrohen mallrat.
Në vijim të kontrolleve sistematike dhe atyre të bazuara te informacionet e inteligjencës policore, shërbimet e DVKM Korçë ndaluan në aksin rrugor “PKK Kapshticë-Bilisht”, automjetin me drejtues shtetasin M. K., 51 vjeç, banues në Korçë.
Nga kontrolli, në automjet janë gjetur mallra të dyshuara të kontrabanduara nga Greqia, sepse nuk ishin të pajisura me fatura blerjeje. Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë 51-vjeçari, për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”, si dhe u sekuestruan mallrat.
Pas verifikimeve të mëtejshme për rastin, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. M., 45 vjeç, banues në Korçë, me detyrë Doganier në PKK Kapshticë, pasi dyshohet se ka shpërdoruar detyrën, duke mos kryer kontroll në automjetin e shtetasit M. K., në momentin e paraqitjes në PKK.
Më tej, në vijim të punës së shërbimeve të DVKM Korçë, u ndalua në hyrje të Shqipërisë, shtetasi F. H., 37 vjeç, banues në fshatin Baldushk, Tiranë, pasi ishte shpallur në kërkim nga Stacioni i Policisë Farkë, si bashkëpunëtor për kryerjen e disa vjedhjeve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 92 shtetas, konkretisht: 21 shtetas janë vënë në pranga, 62 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 9 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 11 raste. 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 4 raste. 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 14 raste, 2 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 1 shtetas është arrestuar, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 17 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ekonomike, janë evidentuar 5 raste. 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprat penale në fushën e vjedhjes/tentativës për vjedhje të pronës dhe pasurisë janë evidentuar 8 raste, 7 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë shpallur në kërkim.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 12 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 11 raste të dhunës në familje. 2 shtetas janë ndaluar, 3 shtetas janë arrestuar, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 12 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-4 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufijve, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-3 raste të vetëgjyqësisë, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të kundërshtimit/mosbindjes ndaj urdhrave të punonjësve të Policisë, me 1 shtetas të arrestuar dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të krimeve kibernetike, për të cilat po punohet për të zbardhur autorësitë;
-nga 1 rast i organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit dhe shtytjes së të miturve në krim, me nga 1 shtetas të arrestuar;
-1 rast i veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;
-nga 1 rast i falsifikimit, pastrimit të produkteve të veprimtarisë kriminale, kanosjes për shkak të detyrës dhe veprimeve të dhunshme në aktivitet sportiv, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Për një rast të mëparshëm të veprës penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, ka nisur procedimi në gjendje të lirë për 1 shtetase.
Kanë ndodhur 6 aksidente rrugore, me 6 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 10 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.