Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë, gjatë 24 orëve të fundit

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë

Specialistët e Seksionit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin M. Z., 33 vjeç, banues në fshatin Balldre, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. P., 40 vjeç, banues në fshatin Gjegjan, Pukë, pasi po kryente punime ndërtimi, pa leje, në një sipërfaqe toke në fshatin Balldre, si dhe ka kanosur një shtetas që pretendon pronësinë mbi këtë tokë.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, për një shtetas 17 vjeç, banues në fshatin Raboshtë, pasi dyshohet se ka kanosur dy bashkëmoshatarë, nëpërmjet rrjetit social “Instagram”.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mirditë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin F. F., 66 vjeç, banues në fshatin Kaçinar, pasi ka penguar kalimin e mjeteve të një firme koncensionare, në rrugën lidhëse “Kaçinar–Arrez”, dhe nuk iu bindur urdhrave të punonjësve të Policisë, për lirimin e rrugës.

Lezhë/Më datë 08.04.2025, rreth orës 00:40, në Spitalin Rajonal Lezhë, ka shkuar për të marrë mjekim, shtetasi D. D., 32 vjeç, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij. Këta shtetas kanë deklaruar se mbrëmjen e djeshme, rreth orës 23:45, në aksin rrugor “Velipojë-Shëngjin”, ndërkohë që qarkullonin me automjet, janë ndaluar nga 3 shtetas të panjohur, të cilët kanë goditur me grushte shtetasin D. D. Ky shtetas mori mjekim dhe është jashtë rrezikut për jetën. Vijojnë veprimet hetimore për këtë rast.