DVP Vlorë – Zbardhen dhe dokumentohen disa raste të vjedhjeve në Vlorë dhe Selenicë

DVP Vlorë/Zbardhen dhe dokumentohen disa raste të vjedhjeve në Vlorë dhe Selenicë, vihen në pranga 2 autorë, njëri i shpallur më herët në kërkim.

Strukturat e Komisariatit të Policisë Vlorë dhe të Stacionit të Policisë Selenicë, si rezultat i kontrolleve të shtuara dhe hetimeve të thelluara, kanë zbardhur dhe dokumentuar disa raste vjedhjesh të ndodhura në këto zona.

✅ Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit R. P., 52 vjeç, banues në Vlorë, i shpallur në kërkim pasi kishte vjedhur materiale ndërtimi dhe vegla elektrike në banesën e një shtetasi, në qytet.

Nga veprimet hetimore rezultoi se ky shtetas është autor i dyshuar edhe për 3 raste të tjera vjedhjesh, të ndodhura më datat 09.02.2025, 23.03.2025 dhe 24.03.2025, në lagjet “Lirim” dhe “Kushtrimi”, ku janë vjedhur sende të ndryshme në banesa dhe në një automjet. Një pjesë e sendeve të vjedhura u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

✅ Shërbimet e Stacionit të Policisë Selenicë arrestuan në flagrancë shtetasin A. Z., 31 vjeç, banues në Vlorë, i cili u kap në momentin që tentonte të kryente një vjedhje në një stan, në fshatin “Peshkëpi”. Gjatë përpjekjes për t’u larguar, ai braktisi automjetin pa targa, i cili u sekuestrua si provë materiale.

Nga hetimet e mëtejshme rezultoi se ky shtetas është autor i dyshuar edhe për një tjetër rast vjedhjeje, të ndodhur më datë 28.11.2024, në të njëjtin fshat.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.