Raporti i ngjarjeve, 19 mars 2025

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 92 shtetas, konkretisht: 18 shtetas janë vënë në pranga, 65 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 9 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste. 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 4 raste. Njëri prej tyre rezulton me autor/ë të paidentifikuar, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 9 raste. 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomike, janë evidentuar 6 raste. 1 shtetas është ndaluar, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjes/tentativës për vjedhje të pronës dhe pasurisë janë evidentuar 13 raste, 4 prej tyre me autorë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 3 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 13 raste, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar. Për raste të tjera, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 12 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 8 raste të dhunës në familje. 1 shtetas është ndaluar, 1 shtetas është arrestuar, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 11 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-3 raste të vetëgjyqësisë, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të kundërshtimit të punonjësit me funksion publik, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i goditjeve për shkak të detyrës, me 1 shtetas të vënë në pranga;

-1 rast i krimeve kibernetike, me 2 shtetas të shpallur në kërkim;

-1 rast i largimit të të burgosurit nga vendi i qendrimit, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;

-nga 1 rast i organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, mosbindjes nga urdhrit të punonjësit të Policisë, trafikimit të mjeteve motorike, veprimeve në kundërshtim me vendimin e gjykatës dhe ndërhyrjeve të padrejta në jetën private, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

1 shtetas i kërkuar për veprën penale “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës”, është ndaluar.

Kanë ndodhur 5 aksidente rrugore, me 1 viktimë dhe 5 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 16 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 6 shtetas janë vënë në pranga dhe 10 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.