Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë
Specialistët e Seksionit të Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasin P. Gj., 46 vjeç, pasi u kap në aksin rrugor “Lezhë-Shëngjin”, duke drejtuar motomjetin, në gjendje të dehur.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin E. Z., 37 vjeç, pasi dyshohet se do të kryente ndërtim të paligjshëm, me disa materiale që kishte transportuar në një sipërfaqe toke në malin e Shëngjinit, të cilën pretendon se e ka blerë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin referuan materialet në Prokurori, pas kallëzimit ditën e djeshme, të shtetasit B. S., 46 vjeç, se shtetas të paidentifikuar kishin vjedhur automjetin në pronësi të shokut të tij, shtetasit I. K., të cilin e kishte lënë në oborrin e banesës së shtetasit B. S., në fshatin Malbardhë. Në drejtimin e Prokurorisë, po punohet për zbardhjen e rrethanave të rastit, si dhe për identifikimin dhe arrestimin e autorit/ëve.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin Gj. S., 58 vjeç, banues në fshatin Perlat, Mirditë, pasi dyshohet se pas një konflikti për motive pronësie, ka dëmtuar një sipërfaqe toke të mbjellë, në pronësi të një 64-vjeçari, në të njëjtin fshat.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.