DVP Vlorë, gjatë 24 orëve të fundit

DVP Vlorë/Vijojnë kontrollet për goditjen e paligjshmërisë, arrestohen 3 shtetas dhe procedohen 5 të tjerë, mes tyre 3 të proceduar në kuadër të operacionit “Indoor”.
Në vijim të operacionit policor të koduar “Indoor”, ku u arrestuan 2 shtetas dhe u shpall në kërkim një i tretë, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë, në vijim të veprimeve, kanë proceduar penalisht 3 punonjës të OSHEE-së për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasit F. Gj., 50 vjeç, E. O., 40 vjeç, dhe G. H., 58 vjeç, punonjës të OSHEE-së, dyshohen se, në kundërshtim me detyrën funksionale, nuk kanë ushtruar kontrolle për evidentimin e lidhjes së paligjshme të energjisë elektrike në objektin ku u zbulua ambienti i përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike.
Policia, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimet për zbardhjen e plotë të këtij rasti dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.
Sarandë/Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, në vijim të punës për identifikimin dhe zbardhjen e një vjedhjeje, falë veprimeve të shpejta hetimore, u bë e mundur ndalimi i shtetasit I. K., 18 vjeç, banues në Ksamil, si dhe procedimi në gjendje të lirë i bashkëpunëtorit të tij, një shtetas i mitur 17-vjeçar.
Këta shtetas, më datë 18.02.2025, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur rreth 30 litra naftë nga një automjet në pronësi të një shtetasi gjerman.
Gjithashtu, nga specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në këtë komisariat, u arrestuan në flagrancë 2 shtetas:
•T. V., 36 vjeç, banues në Piqeras, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë në aksin rrugor “Sarandë-Lukovë” duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi;
•A. D., 59 vjeç, banues në Berdenesh, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë në aksin rrugor “Sarandë-Ksamil” duke drejtuar motomjetin pa leje drejtimi.
Vlorë/ Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimin penal për shtetasin R. P., 51 vjeç, banues në Vlorë, pasi dyshohet se, për motive të dobëta, ka kanosur një shtetase 47-vjeçare.
Materialet procedurale për të gjitha rastet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.