Lezhë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Shades”

Lezhë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Shades”, për zbardhjen e rasteve të vjedhjes.

Dje, vodhën me thyerje në 2 dyqane dhe në 1 servis, arrestohen në flagrancë 2 shtetas.

Zbardhen edhe 6 raste të vjedhjes në banesa, të kryera më parë nga këta shtetas.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë, në vijim të veprimeve intensive hetimore për zbardhjen e rasteve të vjedhjeve të pronës, identifikimin dhe arrestimin e autorëve, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Shades”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit S. P., 52 vjeç dhe M. K., 51 vjeç, të dy banues në Shkodër.

Ditën e djeshme, dyshohet se këta shtetas kanë vjedhur me thyerje, shuma parash, pajisje pune dhe produkte të ndryshme, në 2 dyqane në fshatin Blinisht dhe në 1 servis në fshatin Dajç.

Nga veprimet e mëtejshme hetimore, janë zbardhur 6 raste të vjedhjes në banesa, të kryera më parë nga këta shtetas.

Gjatë kontrolleve në banesat e shtetasve S. P. dhe M. K., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, sende të dyshuara të përdorura për kryerjen e vjedhjeve dhe sende të dyshuara të vjedhura.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Lezhë, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim, në mënyrë të përsëritur.