Tiranë/Punonjësit e Policisë, takime informuese me nxënësit, rreth temës “Siguria kibernetike”

Tiranë

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vijon zbatimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, për programin “Siguria e të rinjve”.

Shefi i Seksionit për Hetimin e Krimeve Kibernetike të DVP Tiranë dhe ndihmësspecialistë për Edukimin me të Rinjtë të Komisariatit të Policisë Nr. 2, në kuadër të këtij programi, kanë organizuar një takim informues dhe sensibilizues me nxënësit e gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, rreth temës “Siguria kibernetike”. Gjatë takimit nxënësit janë njohur nëpërmjet videove të ndryshme, të përgatitura nga punonjësit e Policisë, me përkufizime, elemente dhe sanksione të lidhura me sigurinë në hapësirën virtuale.

Nxënësit kanë ndërvepruar me punonjësit e Policisë, nëpërmjet pyetjeve të drejtuara, të cilave efektivët iu janë përgjigjur me shembuj dhe me ilustrime nga rastet e hasura gjatë punës së tyre.