Raporti 72-orësh i ngjarjeve, 5,6,7 gusht 2023

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Rrogozhinë-Finalizohet operacioni policor i koduar “Kompleks”, i zhvilluar nga Stacioni i Policisë Rrogozhinë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Elbasan.Operacioni, për parandalimin e vjedhjes së pronës dhe për goditjen e veprimtarive kriminale të kultivimit dhe prodhimit të cannabis sativës.Koordinimi i veprimeve ndërmjet Policisë së Rrogozhinës dhe asaj të Elbasanit, çoi në pranga një 41-vjeçar nga Elbasani, i cili u kap në flagrancë në Rrogozhinë, duke vjedhur një shumë parash, në një dyqan veglash pune.Operacioni ka vijuar në Elbasan dhe si rezultat, në banesën e 41-vjeçarit, Policia e Elbasanit gjeti dhe sekuestroi 2.8 kg lëndë narkotike cannabis sativa, fara të kësaj bime, fishekë luftarak dhe një shumë parash të përfituar në mënyrë të kundërligjshme, si dhe asgjësoi disa bimë narkotike që u gjetën të kultivuara përreth kësaj banese në fshatin Bizhutë, njësia administrative Papër, Elbasan.Ndërkaq, mbi dyshime për implikim në kultivimin e bimëve narkotike, u proceduan penalisht nga Policia e Elbasanit, vëllai dhe motra e 41-vjeçarit, si dhe u shpall në kërkim një shtetas tjetër (lidhje shoqërore e 41-vjeçarit).Në vijim të kontrolleve për parandalimin e vjedhjes së pronës, bazuar në inteligjencën policore dhe si rezultat i shkëmbimit të informacionit ndërmjet Policisë së Elbasanit dhe asaj të Rrogozhinës, për një shtetas që dyshohej se merrej me narkotikë dhe ishte larguar nga Elbasani, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Kompleks”.Në kuadër të këtij operacioni, Policia e Rrogozhinës arrestoi në flagrancë shtetasin Gj. S., 41 vjeç, banues në Elbasan. Ky shtetas u kap në flagrance në lagjen nr.1, në Rrogozhinë, në një dyqan, duke vjedhur materiale ndërtimi dhe një shumë parash  (200 000 lekë).Operacioni ka vijuar në Elbasan, në fshatin Bizhutë, njësia administrative Papër, ku Policia e Elbasanit kishte marrë informacion më parë se 41-vjeçari merrej me kultivim dhe prodhim të narkotikëve.Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale, rreth 2.8 kg lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, dhjetëra fara të bimës narkotike cannabis sativa, fishekë luftarak dhe mbi 53 000 lekë të valutave të ndryshme, të dyshuar të përfituar në mënyrë të kundërligjshme.Gjithashtu, përreth banesës së 41-vjeçarit, u gjetën të kultivuara disa bimë narkotike. Mbi dyshime për bashkëpunim me shtetasin Gj. S., për kultivimin e këtyre bimëve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit B. S., 50 vjeç dhe T. S., 32 vjeçe (vëllai dhe motra e shtetasit Gj. S.), si dhe u shpall në kërkim shtetasi G. Sh., 24 vjeç (lidhje miqësore e shtetasit Gj. S.). Policia vijon punën për kapjen e 24-vjeçarit.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit-Vijon në të gjithë vendin, megaoperacioni policor antikanabis i koduar “FOKUSI”.Në këtë megaoperacion janë angazhuar drejtoritë vendore të Policisë në çdo qark, Policia Kufitare dhe FNSH-ja.Megaoperacioni për kontrollin e territorit, i shtrirë në terrene  fushore,   në terrene  të vështira malore dhe në fshatra të thellë të vendit.Gjatë kësaj jave janë angazhuar për kontrollin e territorit dhe për asgjësimin e bimëve narkotike, 6000 punonjës policie dhe 75 dronë të cilësisë së lartë.Si rezultat, janë asgjësuar rreth 17000 bimë cannabis sativa dhe 100 kubikë të kultivuar me fara të kësaj bime.Gjithashtu, janë sekuestruar shuma të konsiderueshme parash (në valuta të ndryshme), një armë gjahu dhe sende të tjera të kundërligjshme.Përgjatë javës janë arrestuar në flagrancë 12 shtetas dhe janë proceduar penalisht 10 të tjerë.Së fundi si rezultat i megaoperacionit, gjatë ditës së djeshme janë goditur, tre raste, konkretisht:

✅në Fier, si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe i kontrollit permanent të territorit, në kuadër të operacionit u arrestuan 3 vëllezër, shtetasit L. K., 45 vjeç, A. K., 51 vjeç dhe A. K., 49 vjeç, dhe u proceduan penalisht babai i tyre dhe djali i njërit prej tyre, shtetasit A. K., 80 vjeç dhe U. K., 18 vjeç, pasi pas banesave kishin kultivuar në tokë, 300 bimë narkotike cannabis sativa. Përveç asgjësimit të bimëve narkotike, Policia e Fierit sekuestroi 1 armë gjahu, 2300 euro dhe rreth 500 000 lekë  të rinj që këta shtetas i kishin përfituar nga shitja e drogës.

✅në fshatin Zall Herr, Tiranë, në kuadër  të operacionit gjatë kontrollit në territorin e një reparti ushtarak, u gjetën të kultivuara dhe u asgjësuan 125 bimë kanabis.Në vijim të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë për shpërdorim të detyrës, 3 punonjës të repartit ushtarak, shtetasit:

– G. M., 52 vjeç, me detyrë Shef Seksioni i Sigurisë;

– R. K., 25 vjeç, me detyrë Specialist për Zbulimin;

– G. Zh., 45 vjeç, me detyrë Specialist Sigurie.

Gjithashtu u proceduan penalisht dhe 4 shtetas të tjerë:

– A. J., 41 vjeç, me detyrë Specialist Infrasktrukture;

– P. H., 52 vjeç, me detyrë Zv/Komandant toge;

– I. D., 47 vjeç, me detyrë magazinier;

– P. D., 57 vjeç, me detyrë Komandant Reparti.

Këta shtetas, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, duke shpërdoruar detyrën, kanë lejuar kultivimin e bimëve narkotike, në ambientet e repartit ushtarak.

✅Në Selenicë , Vlorë, Shërbimet e Policisë bazuar në inteligjencën policore dhe si rezultat I kontrollit të territorit, arrestuan në flagrancë shtetasin L. K., 29 vjec, banues në Selenicë, pasi gjatë kontrollit të territorit të banesës së tij, Policia gjeti e sekuestroi 80 kubikë të kultivuar me fidanë kanabis, të cilët u asgjësuan me anë të djegies.

Megaoperacioni policor antikanabis “FOKUSI” vijon pandërprerë në të gjithë vendin, me shërbime nga toka, monitorim nga ajri me dronët e Policisë, si dhe përmes bashkëpunimit të ngushtë me partnerët e GDF-së.Policia e Shtetit fton qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë, për përmbushjen e objektivit të megaoperacionit “FOKUSI”, si dhe për denoncimin e çdo paligjshmërie tjetër, pasi vetëm bashkërisht mund të ndërtojmë një ambient të sigurtë.

Divjakë-Iu ngecën automjetet në baltë, në pyll, gjatë mesnatës, dhe për këtë shkak iu pamundësua kthimi, Policia e Divjakës iu shkon në ndihmë 8 turistëve italianë.Mesnatën e djeshme, Komisariati i Policisë Divjakë ka marrë njoftim se për shkak të shirave, 2 automjete me të cilat 8 turistë italianë eksploronin lagunën e Karavastasë dhe pyllin e Divjakës, kishin ngecur në një pjesë rruge me baltë.Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë organizuar punën, kanë shkuar në zonën e sinjalizuar dhe përmes përdorimit të një makine teknologjike (skrep), i kanë nxjerrë 2 automjetet nga rruga me baltë ku kishin ngecur.8 turistët janë shoqëruar me automjetet e Policisë dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.Këta turistë kanë falënderuar shërbimet e Policisë për reagimin e menjëhershëm dhe humanizmin e shfaqur gjatë ofrimit të ndihmës.

Golem, Kavajë/Reagim i menjëhershëm i Policisë, ndaj kallëzimeve të qytetarëve për raste vjedhjesh.Tentuan të vidhnin një automjet, ndërhyrja e menjëhershme e Policisë bën të mundur arrestimin në flagrancë të 2 shtetasve.Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në Golem, disa shtetas po tentonin të vidhnin një automjet, kanë organizuar punën për kapjen e tyre.Si rezultat i ndërhyrjes së menjëheshme, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë kapën dhe arrestuan në flagrancë autorët e dyshuar të këtij rasti, shtetasit E. M., 36 vjeç dhe E. M., 19 vjeç, të dy banues në Kavajë.Gjithashtu, mbi dyshime për bashkëpunim me 2 shtetasit e arrestuar, për këtë tentativë vjedhjeje, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. V.,  minoren, banues në Kavajë.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Elbasan/Parandalohet një ngjarje e mundshme kriminale në familje.Kërcënonte bashkëshorten se do ta vriste me sëpatë, ndërhyrja e menjëhershme e Policisë parandalon ngjarjen e mundshme kriminale.Në kuadër të operacionit “Momenti”, u vu në pranga 48-vjeçari.Sekuestrohet një sëpatë, një përforcues grushti dhe 40 fidanë narkotikë cannabis sativa të kultivuar nga 48-vjeçari, në pronën e vet.Shërbimet e Rendit dhe ato për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, sapo kanë marrë njoftim se në lagjen “Vullnetari”, një shtetas kërcënonte bashkëshorten e tij se do ta vriste me sëpatë, kanë organizuar punën dhe në kuadër të operacionit policor të koduar “Momenti”, kanë ndërhyrë menjëherë për të parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale, në këtë familje.Si rezultat i ndërhyrjes së Policisë, u arrestua në flagrancë shtetasi A. L., 48 vjeç, banues në Elbasan.Në vijim të hetimeve të thelluara për veprimtarinë kriminale të këtij shtetasi, u sigurua informacion se 48-vjeçari, në një parcelë në pronësi e tij, në fshatin Vreshats, kishte kultivuar fidanë narkotikë.Në bazë të këtyre informacioneve, janë organizuar kontrolle në këtë pronë ku janë gjetur dhe asgjësuar 40 fidanë narkotikë cannabis sativa që dyshohet se ishin kultivuar në kubikë, nga shtetasi A. L.Shërbimet e Policisë sekuestruan në cilësinë e provës materiale, sëpatën me të cilën shtetasi A. L. kanoste bashkëshorten, një  përforcues grushti, si dhe disa nga fidanët narkotikë, pasi pjesa tjetër e tyre u asgjësua nëpërmjet djegies.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Port Durrës/Finalizohet një tjetër operacion për parandalimin e futjes së shumave të mëdha të parave në vendin tonë, pa i deklaruar në pkk.Operacioni policor i koduar “Fluksi”, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Policia Kufitare, në të gjithë vendin.Sekuestrohen 121 680 euro të padeklaruara në PKK Port Durrës.Operacioni, rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se me një autobus, po trasportohej një shumë e konsiderueshme eurosh, me qëllim shmangien e deklarimit të tyre në pkk.Tentoi të fuste në vendin tonë 121 680 euro që ishin fshehur në tavanin e autobusit, me qëllim mosdeklarimin konform ligjit, arrestohet në flagrancë pronari i autobusit.Procedohet penalisht drejtuesi i këtij autobusi.Shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit, krahas angazhimit maksimal për të përballuar fluksin e turistëve, vizitorëve dhe shtetasve shqiptarë që vijnë në Shqipëri për qëllime turistike, kanë intensifikuar kontrollet për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare.Bazuar në analizën e riskut dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, në bashkëpunim me autoritetet doganore, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Fluksi”, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme të finalizuara në këtë pkk, për parandalimin e futjes së shumave të konsideruehsme të parave, pa i deklaruar, shuma të cilat dyshohet se janë përfituar nga veprimtaritë kriminale.Në kuadër të këtij operacioni, shërbimet e Policisë Kufitare, në hyrje të vendit, kaluan në vijën e dytë, për kontroll të detajuar, autobusin e linjës “Durrës-Bari-Durrës”, në pronësi të shtetasit L. N. dhe me drejtues shtetasin E. S.Gjatë kontrollit të ushtruar në tavanin e këtij autobusi, të kryer duke përdorur metoda bashkëkohore të kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 121 680 euro, të cilat këta shtetas tentonin t’i futnin në vendin tonë, pa i deklaruar në pkk, konform ligjeve në fuqi.Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi L. N., 44 vjeç, si dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. S., 34 vjeç, të dy banues në Durrës.Në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Fier/Finalizohet operacioni policor i koduar “Vigjilenca”, sekuestrohen një armë zjarri kallashnikov dhe fishekë luftarak.Operacioni, rezultat i informacioneve të siguruara nga Komisariati i Policisë Fier dhe i bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët.Lëvizte i dehur dhe me kallashnikov me vete, në qendër të Libofshës, vihet në pranga 40-vjeçari.Ky shtetas sapo pa shërbimet e Policisë, hodhi kallashnikovin në një kanal.Si rezultat i kontrolleve të mbështetura nga informacionet e siguruara prej inteligjecës policore, si dhe nga bashkëpunimi i ngushtë i qytetarëve, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe arrestimin e shtetasve që posedojnë armë zjarri, për këtë qëllim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Vigjilenca”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi E. Gj., 40 vjeç, banues në Fier.Shërbimet e Policisë e kapën 40-vjeçarin, në qendër të fshatit Libofshë, teksa mbante me vete 1 armë zjarri kallashnikov me fishek në fole, të gatshme për qitje. Ky shtetas, sapo ka konstatuar praninë e patrullës së Policisë, ka hedhur armën e zjarrit në një kanal.Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se 40-vjeçari në momentin e arrestimit, ishte në gjendje të dehur, rrethanë e cila rrit rrezikshmërinë e posedimit të armës së zjarrit.Arma e zjarrit dhe fishekët luftarak u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, nga shërbimet e Policisë.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Vlorë-Dhunoi fizikisht një 55-vjeçar, i cili si pasojë humbi jetën, kapet dhe vihet në pranga, pas disa minutash ndjekjeje, 33-vjeçari.Menjëherë pas marrjes së njoftimit, se rreth orës 11:45, në një qendër interneti, në lagjen “Hajro Çakërri”, 2 shtetas ishin konfliktuar fizikisht dhe nga goditjet, njëri prej tyre kishte humbur jetën, shërbimet e Policisë kanë organizuar punën dhe kanë mbërritur në vendngjarje, me qëllim zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje, si dhe për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorit.Si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe veprimeve profesionale të shërbimeve të Policisë, u bë i mundur identifikimi menjëherë pas ngjarjes, i autorit të saj, shtetasit R. M., 33 vjeç, banues në Tiranë.Pas disa minutash ndjekjeje intensive nga Policia, 33-vjeçari u kap dhe u shoqërua në ambientet e Policisë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Qerret, Durrës/Informacion paraprak-Rreth orës 13:15, në fshatin Qerret, është shembur tarraca e banesës së shtetasit Sh. Sh., rreth 55 vjeç, dhe ka zënë poshtë shtetasin Sh. Sh. dhe shtetasin A. R., 27 vjeç (i punësuar nga shtetasi Sh. Sh.), të cilët po kryenin punime ndërtimi.Shërbimet e Policisë dhe ato zjarrfikëse, të cilat kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, kanë bërë të mundur nxjerrjen nga rrënojat, të të 2 shtetasve. Shtetasi Sh. Sh. (pronari i banesës), për shkak të dëmtimeve, ka humbur jetën, ndërsa shtetasi A. R. është transportuar menjëherë në spital dhe po merr asistencë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën.Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 245 shtetas, konkretisht: 69 shtetas janë vënë në pranga, 155 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 21 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, vijon intensivisht puna nga ana e strukturave të Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 19 raste, 4 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera – 11 shtetas janë vënë në pranga dhe 13 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 28 raste, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 6 shtetas janë vënë në pranga, 5 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 38 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 5 raste- 1 shtetas është vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 3 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 5 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

1 shtetas i shpallur në kërkim për falsifikim dokumentesh, është kapur dhe ndaluar, si dhe është evidentiuar 1 rast i krimeve kompjuterike, me autor/ë ende të paidentifikuar.

Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë janë evidentuar 26 raste, 12 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 8 shtetas janë vënë në pranga, 6 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 7 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë evidentuar 9 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 7 shtetas të shpallur në kërkim dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë për 8 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”. Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, me 3 shtetas të vënë në pranga dhe 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa 2 shtetas të tjerë të shpallur në kërkim për këtë vepër, janë kapur dhe ndaluar.

Janë evidentuar 3 raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 38 raste, 3 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 3 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 20 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 19 raste, me 5 shtetas të vënë në pranga, 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 42 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 26 kërkesëpadi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike”, “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, me 15 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, si dhe nga një rast i veprave penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me 2 shtetas të vënë në pranga; “Përndjekja”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe “Keqtrajtimi i të miturit”, me 1 shtetas të vënë në pranga.

Gjithashtu, janë evidentuar nga 2 raste të veprave penale:

-“Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-“Vetëgjyqësia”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-“Trafikimi i mjeteve motorike”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Më tej, janë evidentuar:

-3 raste të veprës “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-3 raste të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë, për një rast të kësaj vepre penale, të dyshuar të kryer më parë;

-3 raste të veprës penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 2 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 19 aksidente, si pasojë e të cilave 36 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 53 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autor ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 23 shtetas janë vënë në pranga, si dhe me 30 shtetas të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.