Zyrih, Zvicër
Instituti i Policisë Shkencore merr pjesë për herë të parë, si anëtar me të drejta të plota i organizatës prestigjioze europiane ENFSI, në takimin e drejtorëve të rrjetit europian “European Network of Forensic Science Institutes” (ENFSI).
Në kuadër të këtij aktiviteti të rëndësishëm ndërkombëtar, Drejtori i Institutit të Policisë Shkencore, Drejtues i Parë Perlat Çullaj, mbajti një prezantim mbi rolin, zhvillimin dhe standardet profesionale të institucionit, si dhe paraqiti arritjet dhe angazhimin në forcimin e bashkëpunimit europian në fushën e kriminalistikës dhe shkencave forenzike.
Në përfundim të aktivitetit, Drejtori i Institutit të Policisë Shkencore mori certifikatën zyrtare të anëtarësimit me të drejta të plota në ENFSI, duke shënuar një moment të rëndësishëm për përfaqësimin e ekspertizës shqiptare në arenën europiane të kriminalistikës.
Pjesëmarrja në këtë takim shërbeu gjithashtu për krijimin e kontakteve të reja dhe forcimin e bashkëpunimit me institutet homologe europiane, me qëllim shkëmbimin e eksperiencave, rritjen e kapaciteteve profesionale dhe avancimin e standardeve shkencore.
Si anëtar me të drejta të plota, Instituti i Policisë Shkencore ushtroi për herë të parë dhe të drejtën e votës në proceset vendimmarrëse të ENFSI-së, duke qenë se gjatë këtij takimi u zgjodh Bordi Drejtues, si dhe u miratuan plani i veprimit dhe strategjia e organizatës për periudhën në vijim.
Ky anëtarësim përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve profesionale dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, si dhe në avancimin e ekspertizës shkencore në shërbim të zbatimit të ligjit dhe sigurisë publike.



