Cërrik/Siguria në shkolla, prioritet i punës së Policisë

Cërrik/Siguria në shkolla, prioritet i punës së Policisë.

Garantimi i sigurisë në shkolla dhe mbrojtja e të rinjve nga fenomenet negative dhe rreziqet e botës digjitale mbeten një prioritet i vazhdueshëm i strukturave të Policisë së Shtetit, përmes komunikimit të drejtpërdrejtë dhe bashkëpunimit të ngushtë me institucionet arsimore.

Në këtë kuadër, Shefi i Komisariatit të Policisë Cërrik Komisar Vilson Sterkaj, specialistë për Hetimin e Krimit Kibernetik dhe punonjës të Komisariatit zhvilluan bashkëbisedime të hapura me gjimnazistët dhe stafet pedagogjike të Shkollës së Mesme Profesionale “Mihal Shahini” dhe gjimnazit “Tomorr Sinani”.

Gjatë takimeve u diskutua gjerësisht mbi rreziqet reale të botës digjitale, duke vënë theksin te ruajtja e privatësisë, parandalimi i shantazheve dhe mashtrimeve në rrjetet sociale, si dhe pasojat ligjore që sjell përfshirja në veprimtari të paligjshme online. Një vëmendje e veçantë iu kushtua gjithashtu parandalimit të bullizmit, menaxhimit të konflikteve mes bashkëmoshatarëve dhe rreziqeve serioze nga përdorimi i lëndëve narkotike. Në këtë bashkëbisedim u nënvizua roli kyç i mësuesve dhe stafeve arsimore në identifikimin e hershëm të rasteve problematike, si dhe rëndësia jetike e raportimit në kohë te strukturat e Policisë për çdo shqetësim.

Ndërgjegjësimi ligjor, komunikimi i drejtpërdrejtë me të rinjtë dhe koordinimi i ngushtë me stafet pedagogjike janë hapa vendimtarë për t’i mbrojtur nxënësit nga kurthet e rrjeteve sociale dhe për të garantuar një mjedis shkollor sa më të sigurt e të shëndetshëm.

#PoliciaShkollë
#SiguriaETëRinjve
#SiguriaNëInternet
#SëBashkuPërNjëKomunitetTëSigurt 🇦🇱