Vlorë/Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.
Goditet një tjetër rast i shitjes së lëndëve narkotike, në zonat turistike.
Kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 36-vjeçari që shiste Kokainë dhe Cannabis, në Dhërmi.
Sekuestrohen sasi Kokaine dhe Cannabisi, automjeti që përdorte 36-vjeçari për këtë veprimtari kriminale dhe celulari i tij.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Vlorë, në vijim të kontrolleve të shtuara për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë goditur një rast të shitjes së lëndëve narkotike në fshatin Dhërmi.
Për këtë rast u arrestua shtetasi E. P., 36 vjeç, banues në Lushnjë.
Shërbimet e Policisë kanë ndaluar në fshatin Dhërmi, automjetin tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin E. P. Gjatë kontrollit fizik ndaj tij dhe kontrollit në automjet, u gjet sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e gatshme për shitje.
Në vijim, gjatë kontrollit në ambientin ku banonte ky shtetas, në fshatin Drimadhë, u gjetën rreth 450 gramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike Kokainë, të ndara në doza, gati për shitje.
Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin dhe celularin e këtij shtetasi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
