DVP Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Adapted”.
Kishte përshtatur apartamentin e saj si call center, për të mashtruar shtetas të huaj, që të investonin në bursa fiktive, vihet në pranga 25-vjeçarja.
Sekuestrohen nga apartamenti, pajisje kompjuterike, celularë dhe prova të tjera materiale.
Si rezultat i informacioneve të siguruara në rrugë operative, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DPPSH, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Adapted”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestua shtetasja M. S., 25 vjeçe, banuese në Tiranë.
Shërbimet e Policisë ndërhynë në apartamentin në posedim dhe administrim të 25-vjeçares, në rrugën “Tish Daija”, i cili ishte përshtatur si call center, nga ku dyshohet se mashtroheshin shtetas të huaj që të investonin në bursa fiktive.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 13 njësi kompjuterike, 2 laptopë, 5 celularë dhe prova të tjera materiale që do t’i shërbejnë dokumentimit të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
