Policia e Shtetit/ Platforma online Help4U, funksionale dhe në gjuhën shqipe

Policia e Shtetit

Platforma online Help4U, funksionale dhe në gjuhën shqipe.

Policia e Shtetit njofton se platforma Help4U, e cila ofron informacion, këshillim dhe orientim për fëmijët dhe adoleshentët që përballen me situata të pasigurta në internet, tashmë është e disponueshme në gjuhën shqipe. Me këtë nismë, Shqipëria renditet ndër vendet e para në rajon që e ofrojnë platformën në gjuhën kombëtare.

Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit udhëhoqi dhe bashkërendoi për afro një vit, punën për zbatimin e platformës në gjuhën shqipe. Procesi u realizua në bashkëpunim të ngushtë me ekspertët e lartë të projektit analitik AP Twin të EUROPOL-it dhe të kompanisë sllovene Centric, si dhe me mbështetjen e projektit suedez në Shqipëri, SCPA.

Gjatë kësaj periudhe, Policia e Shtetit organizoi aktivitete dhe takime periodike pune me ekspertët e EUROPOL-it dhe të kompanisë Centric, si dhe me ekspertët dhe përfaqësuesit e të gjitha strukturave në vend, që kanë përgjegjësi për mbrojtjen e fëmijëve në internet. Në këto takime, Drejtoria bashkërendoi kontributet e strukturave të përfshira për t’ua përshtatur informacionin dhe këshillat e platformës nevojave të fëmijëve dhe adoleshentëve shqipfolës.

Help4U i ndihmon fëmijët të kuptojnë çfarë mund të bëjnë kur përballen me ngacmime, kërcënime ose forma të tjera abuzimi në internet dhe kujt mund t’i drejtohen për ndihmë. Platforma mund të hapet drejtpërdrejt, pa krijuar llogari dhe pa u regjistruar. Ajo nuk ruan të dhëna personale të përdoruesve.

Për ta bërë platformën të njohur te sa më shumë fëmijë, Policia e Shtetit, në bashkëpunim me projektin suedez, ka përgatitur postera informues. Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, posterat do të shpërndahen në ditët në vijim, në të gjitha shkollat e vendit, që nxënësit të mësojnë ku mund ta gjejnë Help4U dhe si ta përdorin kur kanë nevojë për këshillim ose orientim.

Siguria e çdo fëmije në internet, është prioritet i Policisë së Shtetit. Parandalimi nis duke i ndihmuar fëmijët të dallojnë rrezikun, ndërsa raportimi në kohë iu jep institucioneve mundësinë të ndërhyjnë. Besimi ndërtohet kur çdo fëmijë që kërkon ndihmë dëgjohet, merret seriozisht dhe merr mbështetjen që i nevojitet.