DVP Tiranë
Në kuadër të Javës së Sigurisë Rrugore, Seksionet e Policimit në Komunitet pranë komisariateve të ndryshme, në bashkëpunim me specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë, zhvilluan aktivitete ndërgjegjësuese në shkolla të ndryshme të kryeqytetit.
Gjatë këtyre aktiviteteve, nxënësit u njohën me rregullat bazë të qarkullimit rrugor dhe rëndësinë e respektimit të sinjalistikës, me fokus të veçantë sigurinë e tyre si këmbësorë dhe përdorues të biçikletave.
Një pjesë e rëndësishme e aktivitetit ishin demonstrimet praktike në terren, pranë semaforëve, ku nxënësit, të pajisur me biçikleta dhe të veshur me jelekë fosforishentë, ushtruan lëvizjen në korsinë e dedikuar për biçikleta, si dhe kalimin e sigurt në vijat e bardha, duke respektuar sinjalet e semaforit.
Gjithashtu, në kuadër të sensibilizimit, drejtuesve të mjeteve iu shpërndanë fletëpalosje informuese, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për respektimin e rregullave të qarkullimit dhe garantimin e një mjedisi më të sigurt për të gjithë përdoruesit e rrugës.
Këto aktivitete synojnë edukimin e brezit të ri dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Policisë dhe komunitetit për rritjen e sigurisë rrugore.
