Operacioni nga Komisariati i Policisë Nr. 4 Tiranë.
Sekuestrohen 3 armë zjarri, një armë e ftohtë, municion luftarak, si dhe asgjësohen 60 bimë kanabis.
Në pranga dy shtetas, si autorë të dyshuar të kultivimit të kanabisit dhe armëmbatjes pa leje.
Në kuadër të operacionit masiv për kontrollin e territorit, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, është finalizuar operacioni policor “Bulceshi”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:
L. B., 33 vjeç, banues në Zall-Bastar, Tiranë;
P. N., 58 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë;
Gjatë kontrollit të territorit dhe mbi bazën e informacioneve të grumbulluara më parë, shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur Bulcesh, Njësia Administrative Zall-Bastar, në një zonë malore dhe me bimësi të dendur, u gjetën të kultivuara dhe u asgjësuan 60 bimë, të dyshuara si bimë narkotike të llojit Cannabis Sativa.
Gjithashtu, gjatë kontrollit policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë, dy armë gjahu çifte, një armë të ftohtë thikë, një palë dylbi dhe një sasi municioni.
Vijon puna per identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Materialet iu referuan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike “, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake e municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.