Tiranë – Finalizohet nga forca e posaçme “Shqiponja” e DVP Tiranë, operacioni policor i koduar “Gjeneraliteti i rremë”. Kapet dhe ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim për veprën penale “Vrasja me dashje, e kryer në bashkëpunim”, i dënuar me 17 vjet e 6 muaj e 24 ditë burgim

Në momentin e ndalimit, këtij shtetasi i janë gjetur 20 mijë dollarë amerikan dhe 2 milionë lekë, të dyshuara të përfituara në mënyrë jo të ligjshme.

Forca e posaçme “Shqiponja”, në zbatim të planit të masave për lokalizimin, kapjen dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim për vepra të rënda penale, falë edhe informacioneve të marra nga DVP Korçë se një shtetas i shpallur në kërkim për vepër të rëndë penale po qarkullonte me mjet në kryeqytet, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Gjeneraliteti i rremë”, në kuadër të të cilit u bllokua në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, së bashku me mjetin me të cilin po qarkullonte, shtetasi:

– Kastriot Fejzo, 49 vjeç, lindur dhe banues në Ersekë.

Në momentin e ndalimit ky shtetas me qëllim për t’iu shmangur përgjegjësisë penale është prezantuar para shërbimeve të Policisë me gjeneralitetet e kushëririt të tij, por pasi është shoqëruar në drejtori është kryer verifikimi i mëtejshëm i këtij shtetasi, i cili ka rezultuar se është shtetasi Kastriot Fejzo, 49 vjeç, i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kolonjë e ka dënuar këtë shtetas me 17 vjet e 6 muaj e 24 ditë burgim për veprën penale “Vrasja me dashje, e kryer në bashkëpunim”.

Gjatë kontrollit, këtij shtetasi i janë gjetur dhe 20 mijë dollarë amerikan dhe 2 milionë lekë, të dyshuara të përfituara në mënyrë jo të ligjshme.

Ky shtetas iu dorëzua DVP Korçë, për veprime të mëtejshme.