Tiranë – Bien në prangat e Policisë 6 shtetas, njëri prej tyre i shpallur në kërkim

Bien në prangat e Policisë 6 shtetas, njeri prej tyre i shpallur në kërkim.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme kundër aktivitetit kriminal në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative nga burime të ndryshme, goditi një tjetër rast, duke vënë në pranga shtetasin F. C., 26 vjeç, pasi në rrugën “Petro Korçari”, gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 7 gr. lëndë narkotike heroinë, e ndarë në doza gati për shitje, si edhe një sasi lënde narkotike e dyshuar cannabis sativa.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit H. L., 48 vjeç, pasi në rrugën ”Enver Begeja”, në banesë, ka ushtruar dhunë fizike dhe ka kanosur me sende të forta vëllanë e tij.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, shtetasin e shpallur në kërkim F. P., 38 vjeç, pasi në rrugën “Skënderbeu”, Laknas, ka goditur me sende të forta në trup shtetasin Y. B., 54 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

• A. A., 24 vjeç dhe A. P., 27 vjeç, pasi u kapën në flagrancë duke drejtuar mjetet pa lejen përkatëse;

• F. H., 39 vjeç, pasi në rrugën “Hazbi Serani”, u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.53 mg/l.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.