DVP Fier/ Kontrolle ndaj mjeteve që përdoren për transportimin e nxënësve

DVP FIER/ Kontrolle për transportin e specializuar të nxënësve

Me fillimin e vitit të ri shkollor dhe në zbatim të planit të masave për rritjen e sigurisë në shkolla, shërbimet e Policisë Rrugore të Qarkut Fier kanë ushtruar kontrolle ndaj mjeteve që përdoren për transportin e specializuar të nxënësve nëpër shkollat publike dhe jopublike.

Kontrollet e kryera kanë si qëllim parandalimin dhe evidentimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor, si dhe garantimin e sigurisë së transportit të nxënësve në shkolla.

Vëmendje e veçantë i kushtohet respektimit të rregullave dhe kushteve të transportit të specializuar, dokumentacionit përkatës, përdorimit të alkoolit, si dhe çdo detyrimi tjetër ligjor nga drejtuesit e mjeteve të transportit të specializuar.

Kontrollet do të vijojnë në të gjithë territorin e Qarkut Fier, me qëllim parandalimin e shkeljeve që mund të cenojnë sigurinë e nxënësve.

Gjithashtu, qytetarët ftohen të denoncojnë çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor apo çdo parregullsi të konstatuar gjatë transportit publik, duke kontribuar në parandalimin e ngjarjeve rrugore dhe rritjen e sigurisë.

Policia Rrugore e Qarkut Fier apelon sërish për respektimin rigoroz të rregullave të qarkullimit rrugor, si një kontribut i rëndësishëm për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të të gjithë përdoruesve të rrugës, si dhe garantimin e një qarkullimi të sigurt, të lirë dhe pa pengesa.