Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Shërbimet e Policisë, në të gjithë vendin, vijojnë kontrollet në territor, monitorimin e qarkullimit rrugor dhe goditjet e njëpasnjëshme, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Si rezultat i punës hetimore, janë finalizuar 4 operacione, në Tiranë, Elbasan, Korçë dhe Lezhë, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit dhe dhënies ndihmë emigrantëve për kalim të paligjshëm të kufirit.

Janë kapur 3 shtetas që ishin në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit të DVP Shkodër ekzekutuan masën e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasin P. F., 50 vjeç, i cili u vetëdorëzua. Masa i është caktuar nga Gjykata e Shkodrës, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Në fushën e narkotikëve janë goditur 19 raste, me 1 shtetas të arrestuar, 11 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 8 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Gjithashtu, u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, 2 shtetas, kryepleq të 2 fshatrave në Krujë, ku u konstatuan bimë narkotike të kultivuara.

Janë sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, sasi të lëndëve të dyshuara narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa, si dhe janë asgjësuar bimë narkotike të kultivuara.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 14 raste, me 17 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

U arrestua një 31-vjeçar, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pasi në fshatin Gostimë, Cërrik, 31-vjeçari, duke punuar me mjet bujqësor kombajnë, në tokën e një 66-vjeçari, ku i fundit dyshohet se aksidentalisht është penguar tek mjeti dhe ka pësuar dëmtime fizike. Aktualisht është jashtë rrezikut për jetën.

Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 14 raste, me 1 shtetas të arrestuar, 8 të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 në kërkim, ndërsa për 3 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

U arrestua një 33-vjeçar, pasi u konstatua duke kryer punime pa leje në një pallat në Tiranë, nga të cilat po dëmtohej fasada e pallatit. Gjithashtu, u procedua penalisht administratori i kompanisë që po kryente punimet pa leje.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit janë evidentuar 8 raste, me 7 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

U arrestua në flagrancë një 28-vjeçar, pasi dyshohet se ka djegur me benzinë një sasi kabllosh elektrike, në afërsi të një sipërfaqeje toke me shkurre dhe ferra, në fshatin Zall-Herr, Kamëz, dhe, për pasojë, u rrezikua përfshirja nga zjarri e pyllit.

Janë evidentuar 2 raste të dhunës në familje, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë plotësuar 9 kërkesa-padi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes.

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 11 raste, me 10 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim.

Në fushën e krimeve kompjuterike/kibernetike është evidentuar 1 rast, me 1 shtetase të proceduar në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 5 shtetas, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi.

U arrestua 1 shtetas dhe u proceduan penalisht 5 të tjerë që dyshohet se kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor. Njëri prej tyre është larguar nga vendi i aksidentit.

U arrestuan 2 shtetas dhe u procedua penalisht 1 shtetas, për thyerje të masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”. Për arrestimin e shtetasit A. H., 46 vjeç, në Tiranë, u bashkëpunua me stafin e emisionit “Stop”.

U arrestua 1 shtetas dhe u procedua penalisht një shtetas tjetër për kundërshtim/mosbindje ndaj urdhrit të punonjësve të Policisë ose të një punonjësi tjetër që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik.

U shpall në kërkim 1 shtetas dhe u proceduan penalisht 11 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Shërbimet e Policisë Kufitare kapën 1 shtetase në kërkim, arrestuan 1 shtetas dhe proceduan penalisht 1, për falsifikim dokumentesh dhe një tjetër për kalim të paligjshëm të kufirit.

Gjithashtu, u procedua penalisht 1 shtetas gjerman, pasi në subjektin e tij, në Tiranë, (lokal) kishte punësuar në mënyrë të paligjshme 6 shtetas të huaj dhe fshihte të ardhurat e përfituara nga veprimtaria në këtë subjekt.

Durrës/Shërbimet e Policisë Kufitare, mbrëmjen e djeshme, pasi kanë marrë njoftim për një mjet lundrues, jaht, që kishte mbetur në det, afër Shkëmbit të Kavajës, janë nisur menjëherë drejt adresës së dhënë. Pasi kanë lokalizuar mjetin lundrues që kishte pësuar defekt në motor, shërbimet e Policisë Kufitare e kanë tërhequr atë me mjetin e tyre deri në Portin e Durrësit, si dhe transportuan 3 shtetasit që ndodheshin në bordin e jahtit, të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke garantuar reagim profesional dhe të shpejtë, si dhe ruajtjen e anonimatit.