Rinas – Nuk deklaroi shumën e parave në kufi, procedohet penalisht 26-vjeçari

Sekuestrohen 16.930 euro të padeklaruara.
Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, në bashkëpunim me autoritetet doganore, në vijim të kontrolleve për goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut, në dalje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, shtetasin M. V.
Gjatë kontrollit, në çantën e dorës iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale 16.930 euro, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar.
Në përfundim të veprimeve procedurale, shtetasi M. V., 26 vjeç, banues në Podgoricë, Mal i Zi, u procedua penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe i sendeve me vlerë në kufi”.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.