DVP Dibër/Monitorim intensiv me dron, radar dhe makina inteligjente në të gjitha akset rrugore të qarkut, për parandalimin e aksidenteve dhe menaxhimin e trafikut.
Policia Rrugore e Dibrës vijon monitorimin intensiv të qarkullimit rrugor, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë për të gjithë përdoruesit e rrugës.
Në fokus të punës janë evidentimi dhe ndëshkimi i parakalimeve të gabuara, drejtimi i automjeteve në gjendje të dehur apo pa leje drejtimi, përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit, si dhe shkelje të tjera që cenojnë sigurinë rrugore.
Si rezultat i monitorimeve dhe kontrolleve të ushtruara gjatë periudhës 13–24 nëntor, janë arrestuar 3 shtetas për drejtim të automjetit në gjendje të dehur, ndërsa 2 të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë për drejtim të automjetit pa leje drejtimi.
Më tej, gjatë kësaj periudhe, janë vendosur gjithsej 1867 masa administrative, konkretisht:
– 35 masa administrative për qarkullim me xhama të errësuar;
– 39 masa administrative për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit;
– 298 masa administrative për mosvendosjen e rripit të sigurimit;
– 154 masa administrative për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse;
– 65 masa administrative për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit;
– 241 masa administrative për parakalime të gabuara;
– 365 masa administrative për qarkullim me shpejtësi tej normave të lejuara;
– 670 masa administrative për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Kontrollet dhe monitorimet vijojnë në të gjitha akset rrugore të qarkut Dibër, me qëllim identifikimin e shkelësve dhe garantimin e një qarkullimi sa më të sigurt.
Policia Rrugore e Dibrës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, të tregojnë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të automjeteve dhe të kontribuojnë në parandalimin e aksidenteve rrugore.
