Rezultatet kryesore të strukturave policore në vend dhe ngjarjet e ndodhura gjatë 24 orëve të fundit

Vijojnë kontrollet në territor, puna hetimore dhe operacionale, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Si rezultat i punës hetimore dhe operacionale, janë finalizuar 4 operacione për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, armëmbajtjes pa leje dhe dhënies së ndihmës emigrantëve për kalim të paligjshëm të kufirit.

Janë kapur 3 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 13 raste, me 2 shtetas të arrestuar dhe 12 të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 11 raste, me 9 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim, ndërsa për 1 rast po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.

Ndërkohë u arrestua në flagrancë shtetasja M. M., 42 vjeçe, banuese në Mat, pasi dyshohet se ka tentuar të djegë me lëndë djegëse (benzinë), në banesë, babanë e saj, shtetasin A. M., 89 vjeç, i cili po merr mjekim në Spitalin e Traumës.

Në fushën e krimeve kundër pronës janë evidentuar 10 raste, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 3 në kërkim, ndërsa për 2 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit janë evidentuar 10 raste, me 10 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të dhunës në familje, me 1 shtetas të arrestuar dhe 1 të proceduar në gjendje të lirë, njëri prej të cilëve ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Gjithashtu, janë plotësuar 8 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes.

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 5 raste, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kibernetike janë evidentuar 3 raste, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për 2 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë arrestuar 6 shtetas dhe janë proceduar penalisht 3 shtetas, pasi drejtonin mjete në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi. Gjithashtu, njëri nga të arrestuarit nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë.

Është arrestuar 1 shtetas dhe janë proceduar penalisht 5 të tjerë, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

U arrestuan shtetasit A. B., 58 vjeç, dhe E. I., 29 vjeç, të dy banues në Fier, pasi dje, në aksin rrugor “Levan–Vlorë”, shtetasi A. B., dyshohet se duke drejtuar automjetin, ka goditur me pasqyrën e tij shtetasin B. Sh., 72 vjeç, banues në fshatin Levan, këmbësor, i cili është rrëzuar dhe më pas është goditur nga automjeti me drejtues shtetasin E. I., i cili është larguar nga vendi i ngjarjes. Si pasojë e dëmtimeve, 72-vjeçari ka humbur jetën.

Janë arrestuar 2 shtetas që kanë thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Është shpallur në kërkim 1 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 4 shtetas për vepra të ndryshme penale.

Shërbimet e Policisë Kufitare kapën 1 shtetas në kërkim dhe proceduan penalisht 7 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit, falsifikim dokumentesh dhe kontrabandë mallrash.

Interpol Tirana/ U ekstradua nga Italia shtetasi E. H., 30 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Dibrës e ka dënuar me 6 muaj burgim, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Gjithashtu, në Berat, u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasin K. M., 36 vjeç, banues në Durrës, pas deportimit të tij nga Greqia. Masa e sigurisë i është caktuar nga Gjykata e Beratit, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Shtetasi K. M. akuzohet se më datë 02.01.2025, në Berat, bashkë me vëllanë e tij (i shpallur në kërkim), kanë qëlluar me armë zjarri nga një automjet, në drejtim të 2 shtetasve.

Reagim i DVP Tiranë/ Në lidhje me një video të publikuar më datë 03.11.2026, në rrjete sociale, sipas së cilës pretendohet se një shtetas ka vjedhur sende personale nga një automjet i Policisë, bëjmë me dije se nga verifikimet e kryera ka rezultuar se automjeti që shfaqet në video nuk është i Policisë, por është në pronësi të shtetasit A. L., i cili ka bërë kallëzim për rastin. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorit të vjedhjes.

Vau i Dejës/Informacion paraprak – Rreth orës 11:30, në fshatin Toplanë, shtetasi P. G., rreth 58 vjeç, dyshohet se është rrëzuar aksidentalisht në ambientet e jashtme të banesës së tij dhe për pasojë është dëmtuar. Pas ndihmës së parë mjekësore, ai u transportua me helikopter në Spitalin e Traumës. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të rastit.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo rast paligjshmërie, duke garantuar reagim profesional dhe të shpejtë, si dhe ruajtjen e anonimatit.