Policia Alpine, strukturë e specializuar dhe e domosdoshme për operacionet e kërkim-shpëtimit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, ndoqi nga afër një seancë stërvitore të Policisë Alpine, pjesë e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër.
Drejtor Hita vlerësoi angazhimin dhe profesionalizmin e punonjësve të Policisë Alpine, si dhe theksoi rëndësinë e përgatitjes së vazhdueshme profesionale dhe të gatishmërisë për t’iu shkuar në ndihmë turistëve, vizitorëve dhe qytetarëve, në çdo rast nevoje. Drejtori i inkurajoi efektivët që të vijojnë trajnimet dhe stërvitjet, për të përmirësuar më tej kapacitetet e tyre operacionale.
Hita: “Jemi me Njësinë Alpine të Forcave të Sigurisë Kombëtare, këtu në Shkodër. Demonstrimi që ne sapo ndoqëm na bën më entuziastë dhe të fortë për të përballuar çdo situatë të vështirë. Ishte me të vërtetë në kushte reale dhe shumë i arritur nga forcat alpine.
Forcat alpine, gjatë këtij viti, kanë bërë ndërhyrje më së shumti në zonat malore të rrethit Shkodër, ku, përveç veçorive turistike që ka ky qytet, ka lindur domosdoshmërisht nevoja për këtë forcë.
Unë ju inkurajoj që të vazhdoni të përgatiteni për kryerjen e operacioneve të kërkim-shpëtimit të turistëve që vizitojnë alpet tona, por edhe të të gjithë shtetasve të tjerë shqiptarë që janë në këto zona.
Gjithashtu, meqë jemi në prag të sezonit të dimrit, do të duhet t’i kushtojmë vëmendje kërkim-shpëtimit në pjesën ku ka përmbytje dhe problematika të tjera për sa i përket jetës dhe pronës së qytetarëve.
Forcat alpine do të kenë vërtet një mbështetje të padiskutueshme, si në burimet njerëzore, ashtu edhe në formatin tjetër, për sa i përket pjesës materiale dhe teknike. Gjithashtu, nuk do të përfundojë me kaq.
Kemi si qëllim që ne të jemi garant për rendin, garant të jetës së qytetarit. Ju inkurajoj që këtë proces kaq të mirë që ne kemi filluar tani ta çojmë më tej dhe të jemi në krye të të gjitha sfidave me të cilat përballet Policia.
Ju falënderoj, prandaj, unë zgjodha ta filloj nga Shkodra, për t’ju dhënë mbështetjen e plotë. Një falënderim nga zemra dhe një përkrahje e madhe për ju. Vetëm suksese dhe na e priftë e mbara të gjithëve!”
Shefi i Seksionit të Policisë Alpine, Komisar Ardian Zhuraj, falënderoi Drejtorin e Përgjithshëm, për mbështetjen dhe inkurajimin, dhe bëri me dije se ky seksion është angazhuar në 23 raste, në mbështetje të Emergjencave Civile, në qarqe të ndryshme të vendit, 10 prej të cilave kanë qenë operacione kërkim-shpëtimi.
Ndërkaq, Shefi i Njësisë së Forcës Kombëtare të Sigurisë, Shkodër, Kryekomisar Arben Curri, siguroi Drejtorin e Përgjithshëm se e gjithë trupa e njësisë është e angazhuar për shërbime të shumta, në luftën kundër kultivimit të kanabisit, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, për garantimin e sigurisë publike, si dhe në mbështetje të strukturave të Policisë vendore.
