Raporti i ngjarjeve, 21 nëntor 2023

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Durrës-Vijon operacioni policor kombëtar i koduar “Sundimi i ligjit”. Kapet një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar.I dënuar me mbi 11 vjet burgim, nga autoritetet gjyqësore në Milano, për 4 vepra të rënda penale kundër personit, arrestohet provizorisht për t’u ekstraduar, 47-vjeçari.Ndalimi i 47-vjeçarit, nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit.Në vijim të aksioneve intensive të Policisë, të kryera në kuadër të operacionit policor kombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar ose kombëtar, si dhe të atyre që posedojnë armë, pa leje, si dhe në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe të shkëmbyera ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, u kap dhe u vu në pranga provizorisht, me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar Dashamir Koka, 47 vjeç.Gjykata e Apelit e Milanos e ka dënuar 47-vjeçarin, me 11 vjet e 4 muaj burgim, për veprat penale “Vrasja”, mbetur në tentativë, “Tortura”, “Rrëmbimi i personit” dhe “Marrëdhënie seksuale me dhunë”, të parashikuara nga Kodi Penal italian. Nga dënimi i plotë, shtetasit Dashamir Koka i kanë mbetur për të vuajtur 10 vjet, 3 muaj dhe 13 ditë burgim.Interpol Tirana vijon të bashkëpunojë me homologët, për të kryer ekstradimin e shtetasit Dashamir Koka, në Itali.

DVP Elbasan-Ndalohet një shtetas i akuzuar për shitje të lëndëve narkotike në doza, në lokalin e tij dhe në zona të ndryshme në qytetin e Elbasanit.Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës Operacionale, të DVP Elbasan, kanë ekzekutuar urdhrin e prokurorit, për ndalimin e shtetasit A. S., 36 vjeç, banues në Elbasan.Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka caktuar për këtë shtetas, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në kuadër të një hetimi me metoda proaktive të nisur në vitin 2021, nga i cili ka rezultuar se shtetasi A. S. shiste doza të lëndëve narkotike, në lokalin e tij dhe në zona të ndryshme në qytetin e Elbasanit.Gjithashtu, ky shtetas akuzohet për të njëjtën vepër penale, në kuadër të megaoperacionit antidrogë të koduar “Rrjeti”, të zhvilluar në qershor 2023.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.    

Tiranë/Informacion paraprak-Më datë 21.11.2023, rreth orës 04.50, në rrugën “Dritan Hoxha”, në Laprakë, në rrugë, dyshohet se ka shpërthyer një sasi lënde plasëse dhe si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar xhamat e një biznesi përreth.Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 64 shtetas, konkretisht: 11 shtetas janë vënë në pranga, 42 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 11 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste– 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 1 shtetas tjetër i shpallur në kërkim për veprimtari kriminale në këtë fushë, është kapur dhe ndaluar.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, është evidentuar 1 rast- 1 shtetas është vënë në pranga. 1 shtetas tjetër i shpallur në kërkim për veprimtari kriminale në këtë fushë, është kapur dhe ndaluar.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 7 raste- 11 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 1 shtetas tjetër i shpallur në kërkim për veprimtari kriminale në këtë fushë, është kapur dhe ndaluar.

Në fushën e krimeve ekonomike, janë evidentuar 3 raste- 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Janë evidentuar 2 raste të falsifikimit të dokumenteve, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar, ndërsa rasti tjetër me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë janë evidentuar 4 raste, njëri prej të cilëve me autor/ë ende të paidentifikuar. 4 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për këtë veprimtari kriminale.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 6 raste- 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 8 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-2 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprave penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 1 shtetas të vënë në pranga;

-1 rast i veprës penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 4 të tjerë të shpallur në kërkim;

-1 rast i veprës penale “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, për të cilin vijojnë hetimet;

-nga 1 rast i veprave penale “Vetëgjyqësia” dhe “Keqtrajtimi i kafshës”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

Kanë ndodhur 5 aksidente rrugore, me 10 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 9 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.