Raporti i ngjarjeve, 14 nëntor 2023

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

DVP Fier/Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli”.

Evidentohen dhe goditen 5 raste të tjera të shitjes së lëndëve narkotike kokainë dhe cannabis sativa.

Sekuestrohen sasi të këtyre lëndëve, fara të bimës narkotike cannabis sativa, peshore elektronike, armë sportive, 7 celularë, si dhe shumë parash të përfituara nga shitja e lëndëve narkotike.

Vihen në pranga 3 shtetas dhe procedohen penalisht 3 të tjerë, autorë të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale.

Si rezultat i kontrolleve të shtuara, shërbimet e komisariateve të Policisë Fier dhe Lushnjë dhe shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier, në kuadër të megaoperacionit policor antidrogë, të koduar “Tempulli”, kanë goditur 5 raste të tjera të veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.

-U arrestuan në flagrancë shtetasit A. M., 30 vjeç dhe E. S., 37 vjeç, të dy banues në Fier, pasi nga kontrollet iu janë gjetur dhe sekuestruar si provë materiale, sasi të lëndëve narkotike kokainë dhe cannabis sativa, që posedoheshin me qëllim shitjen në doza, si dhe fara të bimës narkotike cannabis sativa, 1 armë sportive, 1 peshore elektronike, celularë dhe shuma parash të përfituara nga kjo veprimtari kriminale.

-U arrestua shtetasi O. P., 36 vjeç, banues në Divjakë, pasi u kap në flagrancë, në Lushnjë, teksa shiste doza të lëndës narkotike kokainë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

-U referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Y. V., 21 vjeç, banues në Fier, për shtetasin I. B., 18 vjeç, banues në Lushnjë dhe për një 17-vjeçar, banues në Lushnjë, pasi në 3 raste, u kapën në flagrancë, gjatë tentativave për të shitur në qytetet ku banonin, doza të lëndës narkotike cannabis sativa, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

PKK Qafë Prush

Finalizohet operacioni policor i koduar “Korridori”, për goditjen e një tentative për të trafikuar drejt Kosovës, lëndë narkotike cannabis sativa.

Operacioni, rezultat i analizës së riskut, të bërë nga shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Qafë Prush, bazuar në inteligjencën policore të siguruar në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme të Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës.

Operacioni ka vijuar më pas, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe me Prokurorinë e Kukësit.

Sekuestrohen rreth 32.7 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa dhe automjeti tip “Peugeot” me të cilin transportohej lënda.

Vihet në pranga 38-vjeçari nga Kosova, i cili transportonte lëndën narkotike të ndarë në pako.

Në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kapen menjëherë, në Kosovë, 2 prej organizatorëve të sigurimit dhe të trafikimit të lëndës narkotike.

Strukturat për Hetimin e Narkotikëve të DVP Kukës, në bashkëpunim me Prokurorinë, si rezultat i hetimeve, kanë identifikuar 3 shtetas të tjerë të përfshirë në këtë rast. Vijon puna për kapjen e tyre, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të Policisë, në fushën e narkotikëve, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Qafë Prush dhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Korridori”.

Gjatë operacionit, në dalje të Shqipërisë, u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi J. K.,  38 vjeç, banues në Gjakovë, pasi nga kontrolli në automjetin tip “Peugeot” që drejtonte ky shtetas, shërbimet e Policisë gjetën rreth 32.7 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa. Sasia e lëndës narkotike, e ndarë në disa pako, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin e 38-vjeçarit.

Nga hetimet rezultoi se shtetasit J. K., automjetin së bashku me lëndën narkotike, ia kishin dhënë në Morinë, shtetasit G. M., nga Kosova, dhe A. A., nga Maqedonia e Veriut. Shtetasi J. K., kundrejt pagesës, do ta kalonte lëndën narkotike, në Kosovë, nëpërmjet PKK Qafë Prush.

Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe koordinimit me Policinë e Kosovës, u bë e mundur kapja në Kosovë, e shtetasve G. M. dhe A. A.

Gjithashtu, nga hetimet rezultoi se në këtë rast të tentativës për të trafikuar lëndë narkotike, janë të përfshirë dhe 1 shtetas maqedonas dhe 2 shtetas serbë. Në bashkëpunim me policitë homologe, vijon puna për kapjen e tyre.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 63 shtetas, konkretisht: 15 shtetas janë vënë në pranga, 37 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 11 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste– 4 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 2 raste- 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 7 raste- 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë janë evidentuar 6 raste, 2 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar. 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për këtë veprimtari kriminale.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 4 raste- 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 8 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 6 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 5 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-4 raste të veprës penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të falsifikimit të dokumenteve, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrit të punonjësve të Policisë, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-2 raste të veprës penale “Njoftimi i rremë në organet e rendit”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprave penale “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Falsifikimi kompjuterik” dhe “Përndjekja”, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;

-1 rast i veprës penale “Keqtrajtimi i të miturit”, me 1 shtetase të proceduar në gjendje të lirë;

-nga 1 rast i veprave penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Kanë ndodhur 3 aksidente rrugore, me 3 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 19 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.