Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 9 Tetor 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë – Dhunon fizikisht bashkëjetuesen, arrestohet në flagrancë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6. Në pranga dhe shtetasja e lënduar, për armëmbajtje pa leje. Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestuan në flagrancë për veprën penale “Dhuna në familje” shtetasin R. H., pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëjetueses, shtetases A. K., 37 vjeçe. Gjithashtu u arrestua në flagrancë për “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe shtetasja e lënduar A. K.  Gjatë kontrollit të ushtruar, kësaj shtetaseje iu gjet në sahatin e ujit të pallatit ku banonte një armë zjarri pistoletë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 78 shtetas, konkretisht: 16 janë arrestuar, 8 janë ndalur dhe 54 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, në të gjithë territorin, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste, konkretisht: 3 raste të “Kanosja”, 1 në Durrës, 1 në Elbasan dhe 1 në Vlorë; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në qarkun Tiranë; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Elbasan, autorët po procedohen në gjendje të lire.

Janë evidentuar 2 raste të dhunës në familje, 1 në qarkun Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë, 1 në Dibër, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 8 kërkesë – padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Është evidentuar 1 rast i armëmbajtjes pa leje, në qarkun Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 10 raste, 1 në Tiranë dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 8 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Është evidentuar 1 rast i shkatërrimit të pronës, në qarkun Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, 2 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Kukës dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 5 raste aksidentesh, me 7 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 8 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 në Tiranë, 2 në Durrës, 2 në Elbasan, 1 në Korçë, 1 në Berat dhe 1 në Lezhë.

Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.