Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu në konferencën “QASJE MODERNE PËR PËRMIRËSIMIN E INTEGRITETIT NË POLICINË E SHTETIT”

I nderuar z. Julian Hodaj, Zv/Ministër i Brendshëm,

E nderuar znj. Fjoralba Caka, Zv/Ministre e Drejtësisë,

I nderuar z. Mario Mariani, Shef i Bashkëpunimit, Delegacioni i BE-së në Shqipëri,

E nderuar znj. Jenny Sorvold, Zv. Ambasadore e Ambasadës Mbretërore Norvegjeze,

I nderuar: Drejtues i Projektit “PAMECA V” z. Carlo D’Achille,

Të nderuar pjesëmarrës dhe kolegë,

Fillimin e punimeve të kësaj konference, e cila për objektin dhe temat që do të trajtojë, ka një rëndësi të veçantë, pasi do ketë një impakt pozitiv në përmirësimin dhe rritjen e nivelit te integritetit në Policinë e Shtetit, dua ta përshëndes me një thënie: “Forca e një organizate buron nga integriteti i individit”.

Integriteti është thembra e akilit për një organizatë ligjzbatuese, pasi integriteti personal i çdo punonjësi të policisë ndikon drejtpërsëdrejti në integritetin profesional në punën që ai kryen. Ndaj është e domosdoshme që në radhët e Policisë së Shtetit duhet të rekrutohen njerëz me integritet të lartë për të arritur rezultatet e dëshiruara në përmbushje të objektivave të përcaktuara.

Integriteti i policisë është një pike kyçe për të gjitha institucionet ligjzbatuese, por në veçanti për Policinë e Shtetit, nisur nga tematika dhe gama e gjerë e aktiviteteve dhe detyrave që mbulon. Integriteti, etika, korrupsioni dhe çështje të tjera që lidhen me to prekin çdo strukturë e sektor të Policisë së Shtetit.
Çështja e parandalimit të korrupsionit të policisë është thelbësore për shoqërinë, organizatën policore dhe vetë demokracinë, ndaj masat efektive për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit janë të vendosura në të gjitha nivelet e organizatës së policisë.

Për të mirën e shoqërisë dhe demokracisë, policia duhet t’ju shërbejë dhe të perceptohet se u shërben nevojave të njerëzve pa ndonjë dyshim. Korrupsioni policor minon besimin e publikut dhe bashkëpunimin e institucioneve dhe qytetarëve të tjerë në parandalimin, zbulimin dhe hetimin e krimit.

Policia e Shtetit i ka kushtuar vëmendje parandalimit të korrupsionit në radhët e saj dhe për këtë ka një strukturë të posaçme Drejtorinë e Standardeve Profesionale, me qëllim krijimin e standardeve profesionale të etikës, menaxhimit, administrimit dhe llogaridhënies në të gjithë institucionin.

Është thelbësore ndërtimi i mekanizmave që mund të shmangin, zbulojnë dhe ndëshkojnë korrupsionin, si dhe të mbështesin një kulturë integriteti.

Në këtë këndvështrim, një vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet parandalimit të mjeteve dhe mekanizmave të korrupsionit, sepse objektivi kryesor i politikave kundër korrupsionit edhe brenda organizatave të zbatimit të ligjit, është përpjekja për të “shmangur” praktikat e korrupsionit para se ato të ndodhin.

Për këtë, disa muaj më parë nisur nga nevoja për të adresuar çështjet e integritetit dhe luftës kundër korrupsionit në strukturat e Policisë së Shtetit, nga drejtuesit e PAMECA V në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe strukturat e SHCBA-së u ndërmor nisma për të kryer një studim, nëpërmjet të cilit të identifikoheshin problematikat që lidhen me korrupsionin në strukturat e PSH.

Nevoja për këtë studim lidhej me realizimin e qëllimit që ka Policia e Shtetit për të ndërtuar një institucion të fuqishëm dhe për të rritur besimin e publikut në agjencitë e zbatimit të ligjit.

PAMECA hartoi raportin ‘Metodologjinë për kryerjen e një analize risku dhe identifikimi i praktikave të prirura ndaj korrupsionit në Policinë e Shtetit”, dokument qe iu vu në dispozicion Policisë së Shtetit. Raporti është hartuar duke u bazuar në standardet më të fundit ndërkombëtare për kryerjen e një analize risku të gjerë dhe të gjithanshme dhe qe i përshtatet veçorive të organizatës së Policisë.

Një nga rekomandimet kryesore të kësaj Metodologjie të Vlerësimit të Rrezikut ka të bëjë me krijimin e “Grupit të Punës” për t’u trajnuar mbi analizën e rrezikut të korrupsionit dhe masat e tjera parandaluese, me qëllim përgatitjen e një harte të parë, të plotë dhe të thellë të rreziqeve të korrupsionit në Shqipëri.

Pas trajnimit dhe me mbështetjen e këshilltarëve dhe ekspertëve në terren, grupi i punës duhet të zhvillojë “matricën e rreziqeve të korrupsionit”, me identifikimin e të gjitha masave parandaluese përkatëse.

Duke marrë parasysh se PSH dhe SHÇBA vlerësuan idenë e përgatitjes së një dokumenti të vlerësimit të rrezikut dhe faktit që PSH i mungon një dokument i tillë, PAMECA V shprehu gatishmërinë për të zhvilluar më tej këtë ide dhe për të mbështetur PSH dhe SHÇBA në përgatitjen e këtij dokumenti të ri për çështjet lidhur me integritetin dhe korrupsionin, që të mundësonte identifikimin e sektorëve dhe fushave me probabilitet më të madh për afera korruptive ne Polici.

Përgatitja e një dokumenti konkret, përkatësisht analiza e riskut dhe matrica e rreziqeve të korrupsionit, sipas metodave e standardeve bashkëkohore, të cilat përveç se janë parashtruar në raportin paraprak do të konkretizohen e zhvillohen më tej në trajnimin dy ditor të planifikuar, do të jetë një udhërrëfyes dhe shpresojmë të shërbejë si indikator për të matur nivelin e korrupsionit/integritetit në organizatën e Policisë së Shtetit.

Konferenca e sotme ka për qellim të lançojë dhe të prezantojë ngritjen e Grupit te Punës, i cili më pas do të punojë për hartimin dhe përgatitjen e analizës se riskut dhe planit te integritetit për Policinë e Shtetit. Aktiviteti i grupit të punës do të mbështetet nga ekspertët e Projektit PAMECA dhe DCAF.

Gjithashtu, synojmë që ky dokument të jetë afatgjatë dhe të mund të zhvillohet në raport me problematikat që do të shfaqen kohë pas kohe, prandaj është e nevojshme që kjo punë të finalizohet me një produkt sa më cilësor në fund të procesit.

Së fundi, dua të siguroj qytetarët se Policia e Shtetit është në proces vetingu të përhershëm dhe është tërësisht e angazhuar për të luftuar krimin dhe korrupsion edhe brenda radhëve të saj. Aksionet e Policisë kundër korrupsionit synojnë minimizimin e pandëshkueshmërisë dhe rritjen e transparencës. Lufta pa kompromis ndaj rrjeteve kriminale apo ndaj cilitdo zyrtar të korruptuar, tregojnë edhe një herë seriozitetin dhe integritetin e Policisë së Shtetit.

Ju faleminderit!