Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 7 prill 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Durrës-Finalizohet operacioni policor i koduar “Thumana”, për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.Operacioni, i zhvilluar nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës. Zbulohen 10 sera në të cilat ishin kultivuar 925 fidanë të dyshuar cannabis sativa. Sekuestrohen një sasi farash kanabisi dhe një armë gjahu.Vihen në pranga 2 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër. Në kuadër të kontrollit të territorit, bazuar dhe në informacionet e grumbulluara në rrugë operative nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, për tentativën e kultivimit të bimëve narkotike në sera, në territorin e Njësisë Administrative Thumanë, specialistët e Seksionit të Hetimit të Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Durrës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Thumana”.Në kuadër të këtij operacioni bë arrestimi në flagrancë i shtetasve K. L., 32 vjeç, banues në Gjorm, Kurbin dhe Q. F., 68 vjeç, banues në fshatin Shkozë-Bardhë, Thumanë Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. F., 36 vjeç, banues në fshatin Shkozë-Bardhë, Thumanë (djali i shtetasit Q. F.). Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në vendin e quajtur Shkozë-Bardhë, Njësia Administrative Thumanë, në truallin pas banesës së shtetasit Q. F., kanë konstatuar 10 sera në të cilat ishin të kultivuara 925 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa. Gjithashtu, gjatë kontrollit në këtë banesë u gjet edhe një qese plastmasi me fara të dyshuara si ato cannabis sativa, si dhe u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike. Grupi hetimor, në përfundim të veprimeve, asgjësoi me anë të djegies fidanët narkotikë.Një pjesë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me një armë gjahu dhe farat cannabis sativa.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme hetimore.

Sarandë-Vijon operacioni policor i koduar “Volloder”.Shkon në 3 numri i personave të arrestuar. Kapet dhe vihet në pranga një shtetas i shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivim i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”. Specialistët e Seksionit të Hetimit të Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Vlorë, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim gjatë operacionit policor të koduar “Volloder”, bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit K. O., 29 vjeç, banues në lagjen “Gjashtë”, Sarandë, të cilit Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë i ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivim i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”. Shtetasi K. O. ishte shpallur në kërkim, pasi në fshatin Nivicë, Sarandë, i kishte dhënë me qira një magazinë, shtetasit K. M., i cili e kishte përshtatur atë si një ambient për kultivimin në kushte laboratorike të bimëve narkotike cannabis sativa.Vijon puna për kapjen e shtetasit K. M. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 92 shtetas, konkretisht: 10 janë ndaluar, 14 janë arrestuar, 62 po procedohen në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 11 raste, njëri prej tyre më autorë të paidentifikuar, në drejtim të të cilit vijon puna intensive nga ana e strukturave policore, ndërsa 10 rastet e tjera rezultojnë me 2 shtetas të arrestuar, 2 të ndaluar, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 7 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 12 raste: 4 raste të “Kanosja”, me 5 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë; 5 raste të veprës penale “Plagosja e lehtë me dashje”, me 7 shtetas të proceduar penalisht ne gjendje të lirë; 2 raste të veprës penale “Dëmtime të tjera me dashje”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim, për kapjen e të cilit vijon puna nga ana e strukturave policore dhe me 1 shtetas tjetër të proceduar penalisht në gjendje të lirë dhe 1 rast i veprës penale “Goditja për shkak të detyrës”, me 1 shtetas të arrestuar.

Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Prostitucioni” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe për to është proceduar penalisht në gjendje të lirë, 1 shtetas. Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, për të cilin është proceduar penalisht në gjendje të lirë, 1 shtetas. Gjithashtu, është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Kanosja e gjyqtarit” dhe “Fyerja e gjyqtarit”, që rezultojnë me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 tjetër të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, me 2 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Gjithashtu është evidentuar 1 rast i veprës penale “Kallëzimi i rremë”, me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, me 3 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 1 tjetër të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 7 raste të dhunës në familje, me 1 shtetas të arrestuar, 3 të ndaluar dhe 3 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 12 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes. Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Marrja e padrejtë e fëmijës”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim.

Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Shkatërrimi i pronës”, me 3 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Gjithashtu, është evidentuar 1 rast i veprës penale “Pushtimi i tokës”, me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 6 raste, prej këtyre 4 raste janë me autorë të paidentifikuar, për të cilët vijon puna nga ana e strukturave policore, ndërsa 2 rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të arrestuar dhe me 2 të tjerë të shpallur në kërkim. Gjithashtu, janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Vjedhja e energjisë elektrike”, me 2 shtetas të arrestuar, 2 të shpallur në kërkim, 1 shtetas të ndaluar dhe 1 tjetër të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Mashtrimi”, me 2 shtetas të ndaluar dhe 2 të tjerë të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Janë evidentuar gjithashtu, 2 raste të veprës penale “Fshehja e të ardhurave”, me 2 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, me 4 shtetas të arrestuar.

Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Ndërtimi i paligjshëm”, me 3 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, të bashkëshoqëruara me veprën penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, me 2 shtetas të arrestuar dhe 1 tjetër të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Është evidentuar nga 1 rast për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit”. Rasti i parë rezulton me 1 shtetas të ndaluar, i dyti me 1 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 6 aksidente, nga të cilët janë dëmtuar 6 shtetas, pa rrezik për jetën. Janë evidentuar në total 16 raste të veprës penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, njëri prej tyre me autorë të paidentifikuar, ndërsa 15 rastet e tjera rezultojnë me 3 shtetas të arrestuar, 2 shtetas të ndaluar dhe 10 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.