Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Tiranë – Ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr.4 parandalon një ngjarje të rëndë kriminale. Sekuestrohen dy armë zjarri.Vihet në pranga 32-vjeçari. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme “Shqiponjat” dhe “Shigjetat“, pas njoftimit të marrë se në Lanabregas, Tiranë, një shtetas kishte kërcënuar me armë zjarri vëllanë e tij, menjëherë kanë shkuar në adresën e dhënë dhe falë ndërhyrjes në kohë kanë prangosur shtetasin S. L., 32 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi i këtij shtetasi u bë, pasi ky shtetas, për motive të dobëta, kërcënoi për vrasje vëllanë e tij, shtetasin XH. L., 37 vjeç. Grupi hetimor ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy armë zjarri (kallashnikov e pushkë) dhe fishekë luftarak. Materialet i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi deri në 7 vjet burgim.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 104 shtetas, konkretisht: 23 janë arrestuar, 6 janë ndaluar dhe 75 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 6 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 9 raste, në të gjithë territorin, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 7 autorë që po procedohet në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste: 3 raste të “Kanosja”, 1 në Berat, 1 në Fier dhe 1 në Shkodër; 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Fier, 1 në Vlorë dhe 1 në Dibër; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Berat dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të dhunës në familje, 1 në Tiranë dhe 1 në Elbasan, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 11 kërkesë-padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 15 raste: 3 në Tiranë, 1 në Dibër, 1 në Berat, 2 në Elbasan dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Shkodër, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e vjedhjes së energjisë elektrike janë evidentuar 5 raste, 1 në Elbasan, 1 në Shkodër dhe 3 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të “Organizimi i lotarive të palejuara”, 2 në Shkodër dhe 1 në Lezhë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 7 raste të ndërtimit pa leje, 3 në Berat dhe 4 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë proceduar 7 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë territorin janë evidentuar 5 raste aksidentesh, me 6 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe proceduar 5 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 3 në Fier.
Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në Tiranë dhe 1 në Elbasan.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.