Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 5 mars 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Lezhë – Vijon puna për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore. Një tjetër i kërkuar bie në prangat e Policisë. Kapet nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, një person i shpallur në kërkim për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Policia e Lezhës, në vijim të punës për zbatimin e planit të masave për evidentimin e goditjen e paligjshmërisë, vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të veprave penale, si dhe personave në kërkim, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, ka mirëorganizuar punën duke bërë të mundur që në fshatin Torovicë, Lezhë, të kapet dhe ndalohet shtetasi: Martin Stenaj, 24 vjeç, banues në Torovicë, Lezhë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim në prill të vitit 2018, pasi Gjykata e Apelit Shkodër e ka dënuar 3 vite e 4 muaj burg, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Materialet procedurale u referuan pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Fier – Procedohen penalisht 2 nxënës të shkollës së mesme në Fier, të cilët dyshohen se kanë përdorur sprajt me lëndë gazi, në ambientet e brendshme të shkollës. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, nën drejtimin e Prokurorisë Fier, zbardhën ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, ku si pasojë e përdorimit të një sprajti me lëndë gazi, në ambientet e brendshme të shkollës, disa nxënës shfaqën shqetësime me frymëmarrjen dhe pasi morën ndihmën e parë në Spitalin Rajonal Fier, u larguan për në banesë. Në përfundim të veprimeve hetimore rezultoi se sprajti ishte përdorur nga 2 nxënës të kësaj shkolle, konkretisht A. M., 15 vjeç dhe A. H., 15 vjeç, të cilët u proceduan penalisht. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Ndotja e ajrit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Krujë – Vijon puna për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që kryejnë ndotje të ajrit, me pasoja për shëndetin e qytetarëve. Arrestohen në flagrancë 2 shtetas, për veprën penale “Ndotja e ajrit”. Si dhe procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë arrestuan në flagrancë shtetasit: Sh. T., 57 vjeç dhe S. Z., 65 vjeç, banues në Kameras, Fushë Krujë, si dhe proceduan në gjendje të lirë shtetasin Sh. Sh., 45 vjeç, banues në Krujë. Këta shtetas, më datë 04.03.2020, në Krastë, Krujë, në një gropë gëlqereje po digjnin mbetje të ndryshme, duke shkaktuar tym e gazra dhe arome të rëndë, të dëmshme për shëndetin e qytetarëve.  Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.

Shkodër – Në lidhje me disa lajme që janë publikuar në rrjetet sociale, ku pretendohet se i është vënë eksploziv mjetit të një shtetaseje dhe ngjarja është fshehur nga Policia, sqarojmë se më datë 04.03.2020 në orën 00:30, në fshatin Hoti Ri, Shkodër, në oborrin e banesës së shtetases E. M. 32 vjeçe, ka rënë zjarr në automjetin tip “Hunday”, në pronësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor, por në përdorim nga shtetasja E. M. Për pasojë, është dëmtuar tapiceria e brendshme dhe është thyer xhami i derës.  Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se zjarri ka qenë aksidental, nga një defekt i brendshëm i mjetit. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për vlerësim.

Tiranë – Finalizohet një tjetër operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e falsifikimit të dokumenteve, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufijve të shteteve anëtare të BE-së. Operacioni policor i koduar “Laboratori”, i ndjekur prej 1 viti, me metoda speciale të hetimit. Operacioni nga Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, nën drejtimin e  Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Arrestohen në flagrancë 6 persona. Gjatë gjithë kohës së zhvillimit të operacionit janë vënë në pranga dhe 6 shtetas të tjerë. Zbulohet dhe sekuestrohet një laborator që shërbente për krijimin e dokumenteve të falsifikuara. Pas një hetimi njëvjeçar të ndjekur me metoda speciale të hetimit, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së falsifikimit të dokumenteve, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufijve të shteteve anëtare të BE-së, Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tinarë, finalizoi me sukses operacionin e koduar  “Laboratori”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: L. Sh., 56 vjeç, A. H., 64 vjeç, M. H., 56 vjeç, V. B., 57 vjeçe, E. H. 29 vjeç, banues në Tiranë dhe H. K., 63 vjeç, banues në Lezhë. Po gjatë kohës së ndjekjes së operacionit janë arrestuar më parë edhe shtetasit A. T., E. S., V. S., E. R., P. B. dhe Th. T. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri – tjetrin kryenin falsifikimin e dokumenteve të ndryshme, për të bërë të mundur kalimin e paligjshëm të kufijve për në vendet e BE-së, me qëllim qëndrimin si rezident, si dhe përdorimin e dokumenteve për transit në Angli. Në cilësinë e provës u sekuestruan një laborator që shërbente për krijimin e dokumenteve të falsifikuara, i cili funksiononte në banesën e dytë të shtetasit L. SH. Gjithashtu u sekuestrua një automjet dhe 11 aparate celular. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasve të mësipërm, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave” dhe ”Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 71 shtetas, konkretisht: 6 janë arrestuar, 4 janë ndaluar dhe 61 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 5 raste: 1 rast i “Kanosja”, në Dibër; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, në Tiranë; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të dhunës në familje, 1 në Durrës, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 1 në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 6 kërkesë-padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 15 raste, 1 në Elbasan dhe 1 në Berat, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 1 në Tiranë, 1 në Lezhë, 1 në Fier dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 9 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e vjedhjes së energjisë elektrike janë evidentuar 2 raste, në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 2 raste, 1 në Tiranë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të ndërtimit pa leje, 3 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 7 raste aksidentesh, me 8 të lënduar jashtë rrezikut për jetëmn

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 në Tiranë dhe 1 në Dibër.

Është evidentuar dhe proceduar 1 shtetas që drejtonte mjetin në gjendje të dehur, në Shkodër.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.