Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu priti Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Federale të Mbretërisë së Belgjikës Marc de Mesmaeker

Gjatë takimit u vlerësuan si mjaft të mira marrëdhëniet e bashkëpunimit mes Policisë shqiptare dhe asaj belge.

Drejtori Veliu bëri prezent për homologun dhe delegacionin belg, rezultatet e arritura nga Policia e Shtetit në drejtim të parandalimit të kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, mënyrën e funksionimit të OFL-së në zbatim të Aktit Normativ të datës 31 janar 2020 dhe e njohu me rezultatet e arritura.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Federale të Belgjikës, Marc De Mesmaeker vlerësoi rezultatet e deritanishme të OFL-së, përpjekjet dhe rezultatet e arritura nga Policia e Shtetit në luftën ndaj krimit të organizuar dhe terrorizmit dhe punën e përbashkët të skuadrave hetimore.

Drejtor Veliu falënderoi Marc de Mesmaeker për vlerësimin dhe mbështetjen dhe theksoi se Policia e Shtetit është e vendosur për të luftuar krimin e organizuar, duke bashkëpunuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.

Gjatë takimit u ra dakord që të punohet në drejtim të forcimit të bashkëpunimit ndërmjet FAST-it dhe strukturave homologe, për rritjen e bashkëpunimit në fushën e sigurisë rrugore dhe atë të rendit.